Interesimi për ndërhyrje estetike në hundë është rritur ndjeshëm vitet e fundit, sidomos te moshat e reja.
Gjatë podcastit “Shëndeti në rend të parë”, i përkrahur nga United Hospital, otorinolaringologu i specializuar në rinoplastikë, Kujtim Kastrati, foli për arsyet pse të rinjtë po kërkojnë gjithnjë e më shumë rinoplastikë, ndikimin e rrjeteve sociale dhe rëndësinë e konsultës së kujdesshme para çdo ndërhyrjeje.
Sipas tij, te moshat e reja ndikimi i rrjeteve sociale është shumë i madh. Pamja e personazheve të njohura, krahasimet e vazhdueshme dhe bullizimi bëjnë që shumë të rinj të shohin hundën si një “problem” që duhet korrigjuar.
“Tek moshat e reja po ndikon shumë pjesa e rrjetit social. Po ndikon pjesa e bullizimit”, tha Kastrati.

Ai shtoi se një pjesë e pacientëve nuk shkojnë vetëm për probleme funksionale, si vështirësia në frymëmarrje, por edhe për arsye estetike të ndikuara nga ajo që shohin në rrjete sociale.
Duke folur për rastet konkrete, Kastrati tregoi se ka pacientë që paraqiten në konsultë me foto të personave të njohur, duke kërkuar një hundë të ngjashme me ta.
“Ka raste kur pacienti vjen me një foto dhe thotë: e dua hundën time sikur ky”, u shpreh ai.
Megjithatë, sipas mjekut, kjo është një pritshmëri që duhet sqaruar me shumë kujdes. Ai theksoi se rinoplastika mund ta ndryshojë formën e hundës, por nuk e ndryshon tërësisht fytyrën apo identitetin e një personi.
“Në këto raste është mirë që të fokusohemi më tepër në konsultë, që pacienti të mos zhgënjehet, sepse fytyra e tij nuk do të ndryshojë. Do të ndryshojë hunda, por fytyra nuk ndryshon”, tha Kastrati.
Për këtë arsye, ai theksoi se konsultimi para operacionit është një nga fazat më të rëndësishme.
“Duhet të jemi korrektë duke parë tiparet e fytyrës së pacientit”, tha ai, duke shtuar se jo çdo kërkesë estetike mund të realizohet në mënyrën që pacienti e imagjinon.
Për më shumë shikoni të plotë podcastin “Shëndeti në rend të parë”:





