Dea Open Air në Sarandë, tri mbrëmje me filma nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut

Magazina

Në datat 18–20 shtator, shëtitorja e Sarandës do të shndërrohet në një kinema të hapur, duke mirëpritur programin DEA | FOCUS CineKO, një veprimtari filmike që sjell për publikun tri prodhime përfaqësuese të kinematografisë shqiptare të realizuar përtej kufijve të Shqipërisë. Për tri mbrëmje radhazi, duke filluar në orën 20:30, publiku do të ketë mundësi […]

Madhësia e shkronjave

Në datat 18–20 shtator, shëtitorja e Sarandës do të shndërrohet në një kinema të hapur, duke mirëpritur programin DEA | FOCUS CineKO, një veprimtari filmike që sjell për publikun tri prodhime përfaqësuese të kinematografisë shqiptare të realizuar përtej kufijve të Shqipërisë.

Për tri mbrëmje radhazi, duke filluar në orën 20:30, publiku do të ketë mundësi të ndjekë filma nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, si dhe bashkëprodhime që dëshmojnë lidhjet ndërmjet kineastëve, aktorëve dhe strukturave prodhuese shqiptare në rajon.

Nën moton “Kinematografia shqiptare përtej kufijve”, programi synon të promovojë krijimtarinë filmike në gjuhën shqipe, pavarësisht hapësirës gjeografike ku ajo realizohet.

Mbrëmja e parë, më 18 shtator, do të hapet me filmin “Karma”, me regji të Esat Fejzës, prodhim i Kosovës i vitit 2026. Më 19 shtator do të shfaqet “Krejt e thirrin Rexhon”, me regji të Ibër Dearit, prodhim i vitit 2025 nga Maqedonia e Veriut dhe me kohëzgjatje 126 minuta.

Ndërsa më 20 shtator do të shfaqet “Cirku fluturues”, me regji të Fatos Berishës, bashkëprodhim i Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, i realizuar në vitin 2019 dhe me kohëzgjatje 115 minuta.

“Cirku fluturues” rikthehet në Sarandë me një domethënie të veçantë, pasi është fitues i Kupës DEA për filmin më të mirë të metrazhit të gjatë në edicionin e vitit 2020 të DEA OPEN AIR.

Shfaqja e tij në mbyllje të programit krijon një lidhje ndërmjet historikut të festivalit dhe fokusit të ri kushtuar kinematografisë shqiptare në rajon.

DEA | FOCUS CineKO synon të sjellë në vëmendje filma, autorë dhe përvoja artistike që, megjithëse krijohen në vende të ndryshme, i përkasin një hapësire të përbashkët gjuhësore dhe kulturore.

Publiku i Sarandës, artdashësit dhe vizitorët e qytetit janë të ftuar të bëhen pjesë e këtyre tri mbrëmjeve, të cilat do të zhvillohen çdo mbrëmje në orën 20:30. Hyrja është e lirë. /Telegrafi/