Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka pranuar hapur se sulmet e shpeshta ukrainase ndaj infrastrukturës ruse po i shkaktojnë dëme ekonomisë dhe shoqërisë ruse.
Javët e fundit, Ukraina ka intensifikuar sulmet ndaj objekteve thellë brenda territorit rus, duke u përqendruar te rafineritë, depot dhe naftësjellësit që janë kyç për eksportin fitimprurës të naftës dhe gazit.

Kievi, ndër të tjera, ka marrë përgjegjësinë për sulmin e fundit ndaj një rafinerie të rëndësishme në qytetin rus të Nizhnekamsk, shkruan aljazeera.
Pala ukrainase thekson se këto sulme janë një përgjigje e drejtë ndaj bombardimeve të përditshme ruse mbi qytetet ukrainase. Nga ana tjetër, Putin vlerëson se qëllimi i këtyre veprimeve është “përhapja e panikut” në shoqërinë ruse.
Putin shprehu bindjen se sulmet ukrainase nuk do të ndikojnë në vendosmërinë e Moskës për të vazhduar pushtimin e fqinjit të saj.
“Sa i përket ekonomisë, ata sigurisht që po na shkaktojnë dëme, por ne po rimëkëmbemi shpejt. Këto sulme nuk do të arrijnë ta përçajnë shoqërinë”, deklaroi diktatori rus.
Si kundërpërgjigje, lideri rus njoftoi sulme edhe më të fuqishme ndaj infrastrukturës ukrainase për t’i “larguar ata nga sulmet ndaj objekteve civile”, si dhe kërkoi përmirësimin urgjent të sistemit rus të mbrojtjes kundërajrore.
Ai gjithashtu ka hedhur poshtë sërish mundësinë e zhvillimit të negociatave të drejtpërdrejta të paqes me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky. /Telegrafi/





