“Nuk jam i befasuar”, Luis Enrique flet para finales së Ligës së Kampionëve ndaj Arsenalit

Sport

Luis Enrique ka deklaruar se nuk është “i befasuar” që Arsenali fitoi Ligën Premier nën drejtimin e Mikel Artetës. Enrique do të përballet “kokë më kokë” me bashkëkombasin e tij Arteta në finalen e Ligës së Kampionëve, ku parizienët synojnë ta fitojnë për herë të dytë radhazi titullin europian. PSG do të ketë përballë një […]

Madhësia e shkronjave

Luis Enrique ka deklaruar se nuk është “i befasuar” që Arsenali fitoi Ligën Premier nën drejtimin e Mikel Artetës.

Enrique do të përballet “kokë më kokë” me bashkëkombasin e tij Arteta në finalen e Ligës së Kampionëve, ku parizienët synojnë ta fitojnë për herë të dytë radhazi titullin europian.

PSG do të ketë përballë një Arsenal plot vetëbesim, pasi londinezët e veriut siguruan titullin e parë në Ligën Premier pas 22 vitesh. Trajneri 56-vjeçar theksoi se nuk e habit fakti që Arsenali doli në krye në Angli.

“Nuk jam i befasuar, sidomos me atë që ka bërë këtë vit. Ata e merituan ta fitojnë Ligën Premier, ishin ekipi më i mirë në kampionat. Nuk ishte e lehtë me Manchester Cityn që i ndiqte nga pas”.

“Arteta është aty prej gjashtë vitesh e gjysmë dhe i njeh ata në detaje”, u shpreh Enrique.

Spanjolli u pyet më pas për një video ku Arteta deklaron se Arsenali do ta fitojë Ligën e Kampionëve. Enrique insistoi se për të dhe ekipin e tij nuk ka motivim më të madh sesa vetë synimi për ta fituar kompeticionin.

“Nuk mendoj se ka motivim më të mirë sesa ta fitosh Ligën e Kampionëve, por do ta shohim. Do ta shohim kush fiton, sepse kaq është. Ne i kemi fituar kampionatet tona dhe unë do të fokusohem te ajo që është më e mira për ekipin tonë”.

Hera e fundit që PSG dhe Arsenali u përballën ishte në gjysmëfinalet e edicionit 2024/25, të cilin ekipi i Enrique e fitoi me rezultat të përgjithshëm 3-1.

“Është një kundërshtar që e njohim shumë mire. Kemi luajtur kundër tyre vitin e kaluar dhe një vit më parë. Mendoj se mund ta përmirësojmë paraqitjen si në sulm, ashtu edhe në mbrojtje, dhe këtë e bëjmë”.

“Sa i përket menaxhimit të një finaleje, është ndryshe, bëhet fjalë ta shfrytëzosh maksimalisht. Por për finalen e Ligës së Kampionëve kurrë nuk e di se kur do të kthehesh sërish aty”, përfundoi ai./Telegrafi/