Reperi shqiptar Stresi ka bërë të ditur se po hyn zyrtarisht në politikë, duke shpallur kandidaturën e tij për një vend në Këshillin Kombëtar të Partisë Demokratike të Shqipërisë.
Lajmin e ka ndarë vetë artisti përmes një postimi në rrjetet sociale, ku u shpreh se ky hap vjen si dëshirë për të përfaqësuar të rinjtë dhe për të sjellë më shumë zë për ta në vendimmarrje.
“Sot kam vendosur të hedh një hap më shumë për vendin tim, për të rinjtë dhe për zërin e një brezi që shpesh është ndjerë i papërfaqësuar”, shkroi ai.
Stresi theksoi se kandidimi i tij lidhet me përgjegjësinë dhe besimin ndaj rinisë shqiptare, ndërsa tha se përvojat e jetës dhe sfidat që ka kaluar e kanë shtyrë të kërkojë më shumë hapësirë për të rinjtë në politikë.
“Kam ardhur nga rruga, nga jeta reale, nga sfidat që çdo i ri i njeh mirë. Prandaj dua që zëri ynë të dëgjohet aty ku merren vendimet”, u shpreh reperi.
Në fund të reagimit të tij, ai u bëri thirrje të rinjve që të bashkohen dhe të kontribuojnë për ndryshim, duke shtuar se e ardhmja nuk pret. /Telegrafi/






