Pakujdesia e faktorit njeri po vazhdon të shkaktojë pasoja të rënda dhe të dëmshme për mjedisin e jetën e banorëve në Malësinë e Bujanocit. Përveç shkatërrimit të sipërfaqeve të tëra pyjore nga flakët, stuhia e zjarreve që përfshiu zonën ka dëmtuar seriozisht edhe rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike, duke djegur shtyllat tensionuese.
Si pasojë e këtij dëmtimi masiv, tetë fshatra të kësaj zone kanë mbetur pa energji elektrike që nga shpërthimi i vatrave të zjarrit. Banorët lokalë po përballen me kushte tejet të vështira jetese, ku përveç rrezikut direkt nga flakët, tashmë duhet të mbijetojnë në terr dhe pa shërbime bazike që varen nga energjia.
Kjo situatë alarmante shtron pyetje të mëdha mbi përgjegjësinë qytetare dhe ndërgjegjësimin e gjithsecilit. Deri kur natyra dhe banorët e Malësisë do të paguajnë çmimin e papërgjegjshmërisë dhe pakujdesisë?
Nevojitet ndërhyrje e menjëhershme nga ekipet e terrenit për riparimin e rrjetit elektrik dhe rikthimin e furnizimit për këto 8 fshatra, si dhe masa më rigoroze për parandalimin e zjarreve në të ardhmen./BujanociNet/





