Akil Gjakova dhe Bled Tufa me pritshmëri të larta para Lojërave Mesdhetare

Sport

Në prag të nisjes për Lojërat Mesdhetare Taranto 2026, sportistët kosovarë po shprehen optimistë për paraqitjen e tyre në Itali. Akil Gjakova në xhudo dhe Bled Tufa në taekwondo presin rezultate të mira pas përgatitjeve intensive. Të dy sportistët kanë folur për pritshmëritë e tyre, përgatitjet dhe zhvillimin e sporteve të tyre në Kosovë. Akil […]

Madhësia e shkronjave

Në prag të nisjes për Lojërat Mesdhetare Taranto 2026, sportistët kosovarë po shprehen optimistë për paraqitjen e tyre në Itali. Akil Gjakova në xhudo dhe Bled Tufa në taekwondo presin rezultate të mira pas përgatitjeve intensive.

Të dy sportistët kanë folur për pritshmëritë e tyre, përgatitjet dhe zhvillimin e sporteve të tyre në Kosovë. Akil Gjakova, një prej emrave kryesorë të xhudos kosovare, tha se përvoja nga dy edicionet e kaluara, ku është stolisur me medalje, rrit edhe pritshmëritë e tij për Taranto 2026.

“Tu e marrë parasysh pjesëmarrjen prej Lojërave të kaluara Mesdhetare, sigurisht që pritshmëritë janë të mëdha, sidomos në sportin e xhudos. Edhe pritshmëritë personale, pas dy paraqitjeve të kaluara në Lojërat Mesdhetare, të cilat jam stolisur me medalje, sigurisht që edhe tash pritshmëritë janë për medalje”.

“Në përgjithësi, interesi për sportin në Kosovë mendoj që nuk është në nivelin qysh duhet me qenë, duke e marrë parasysh edhe jetën qysh është bërë me rrjetet sociale. Por në përgjithësi, në xhudo ka mjaftueshëm pjesëmarrës që janë në sportin e xhudos. Sigurisht që edhe me projektin ‘Kosova, shtet i xhudos’, ne jemi munduar me bërë shumë për sportin e xhudos në Kosovë, duke e futur sportin në shkolla dhe duke mbajtur trajnime të ndryshme, por gjithmonë duke punuar sa më shumë për të ardhmen dhe për fëmijët”.

Edhe përfaqësuesi i taekwondos, Bled Tufa, pret një paraqitje të suksesshme në Taranto. Ai tregoi se ekipi kosovar ka zhvilluar përgatitje intensive, me kampe stërvitore dhe sparing partnerë të nivelit të lartë.

“Kemi pritshmëri të mëdha, jemi përgatitur mirë. Kemi shkuar në shumë kampe sportive, stërvitore me intensitet të lartë, ka pasur sparing partnerë të lartë dhe trajneri Flamur Visoku na ka përgatitur në mënyrën më të mirë të mundshme”.

“Vitet e fundit ka nisur të rritet interesi i taekwondos në Kosovë, ka më shumë fëmijë të interesuar, për shkak se kemi nxjerrë medalje evropiane në U21. Sportisti Bleron Ademi na ka përfaqësuar mirë, por edhe ne e kemi përfaqësuar Kosovën në nivel shumë të lartë botëror dhe evropian”.

Me përgatitje intensive dhe një delegacion rekord prej 163 sportistësh, Kosova do të synojë rezultate sa më të mira në Taranto 2026. Për sportistët si Akil Gjakova dhe Bled Tufa, kjo është një tjetër mundësi për të dëshmuar nivelin e sportit kosovar në arenën ndërkombëtare./Telegrafi/