Kuvendi i Komunës së Zetës të Malit të Zi ka miratuar një deklaratë me të cilën është shfuqizuar vendimi për njohjen e Kosovës.
Sipas raportimeve të RTCG, këshilltarët e Kuvendit Komunal të Zetës kanë votuar pro kësaj deklarate, duke e konsideruar si një akt politik të bazuar në qëndrimet e tyre ndaj vendimeve të mëparshme shtetërore.
Në seancë është theksuar se institucionet e mëparshme të Malit të Zi, që nga shpallja e pavarësisë së vendit, kanë injoruar, sipas tyre, vullnetin e një pjese të qytetarëve lidhur me statusin e Kosovës, raporton rtcg.me.
Deklarata gjithashtu përmban vlerësime politike për situatën e serbëve dhe malazezëve në Kosovë, duke pretenduar se pozita e tyre është përkeqësuar nën institucionet aktuale në Prishtinë.
Me këtë akt, asambleja lokale e Zetës ka kërkuar simbolikisht anulimin e vendimit për njohjen e Kosovës nga ana e Malit të Zi, ndonëse vendime të tilla i takojnë nivelit shtetëror.
Ndryshe, Mali i Zi e ka njohur Kosovën më 9 tetor 2008.
Vendimi u mor nga Qeveria e atëhershme e Malit të Zi, e udhëhequr nga Milo Gjukanoviq, rreth shtatë muaj pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008. /Telegrafi/






