Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka njoftuar se Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) po vazhdon monitorimin e çmimeve të derivateve të naftës në territorin e Kosovës.
Sipas MINTI-t, bazuar në çmimet e importit të deklaruara nga Dogana e Kosovës, deri më tani nuk është vërejtur ndonjë abuzim me çmimet e shitjes së derivateve.

“Bazuar në çmimet e importit të deklaruara nga Dogana e Kosovës, deri më tani, nuk është vërejtur ndonjë abuzim me çmimin e shitjes së derivateve”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
Sipas të dhënave zyrtare të Doganës, çmimi i importit të derivateve të naftës gjatë 24 orëve të fundit ka qenë 1.83 euro, ndërsa çmimi i shitjes në pikat e karburanteve, sipas raporteve të IQMT-së, ka lëvizur nga 1.92 deri në 1.94 euro për litër.
Sa i përket benzinës, MINTI ka bërë të ditur se çmimi i importit gjatë 24 orëve të fundit ka qenë 1.54 euro për litër, ndërsa çmimi i shitjes me pakicë ka variuar nga 1.61 deri në 1.67 euro.
Ministria ka theksuar se monitorimi i çmimeve nga IQMT-ja po vazhdon në mënyrë të vazhdueshme.





