Mbi 100 njerëz bërtasin njëkohësisht drejt oqeanit në San Francisko

Life/Bizare

Më shumë se 100 persona u mblodhën në San Francisko për të bërë diçka krejt të pazakontë: të bërtisnin njëkohësisht drejt Oqeanit Paqësor, në një mënyrë të pazakontë për të çliruar stresin dhe frustrimet e përditshme. Ngjarja e quajtur “Guttural Scream at the Sea” u zhvillua të shtunën në Vista Del Mar, me pamje nga […]

Madhësia e shkronjave

Më shumë se 100 persona u mblodhën në San Francisko për të bërë diçka krejt të pazakontë: të bërtisnin njëkohësisht drejt Oqeanit Paqësor, në një mënyrë të pazakontë për të çliruar stresin dhe frustrimet e përditshme.

Ngjarja e quajtur “Guttural Scream at the Sea” u zhvillua të shtunën në Vista Del Mar, me pamje nga Ocean Beach, dhe u organizua nga banorja lokale Danielle Egan.

Egan tha se kishte ndier nevojën për të “bërtitur fort” dhe mendoi se kjo do të ishte edhe më argëtuese nëse do ta bënte së bashku me njerëz të tjerë.

“Ka shumë gjëra për të cilat mund të bërtasim në ditët e sotme, ndaj mendova të mblidhnim njerëz të ndryshëm dhe thjesht të bërtisnim”, tha ajo për SFGate.

Në fletushkën e eventit renditeshin edhe disa nga “arsyet e mira për të bërtitur”, ku përfshiheshin qiratë e larta, frustrimi nga inteligjenca artificiale, zemërimi dhe, siç thuhej në mënyrë të thjeshtë, fakti se “të bën të ndihesh mirë”.

Para britmës kolektive u zhvillua edhe një garë për britmën më të fortë, ku pjesëmarrësit u vlerësuan për volumin, kohëzgjatjen dhe stilin e britmës.

Fituesja e vendit të parë, Olivia Gugliemotto, arriti një britmë prej 121.9 decibelësh, vetëm pak nën rekordin botëror prej 129 decibelësh, transmeton Telegrafi.

Si shpërblim, ajo mori një megafon të vogël. Gugliemotto tha se britma e saj ishte drejtuar “ndaj botës në përgjithësi”.

“Jetoj larg familjes sime. Kjo më trishton. Kapitalizmi, mjedisi, gjenocidi – shumë gjëra”, u shpreh ajo.

Në fund, të gjithë pjesëmarrësit iu bashkuan britmës kolektive, duke e kthyer bregdetin e San Franciskos në skenën e një prej mënyrave më të pazakonta për të shfryrë frustrimet. /Telegrafi/