Qeveria e Malit të Zi ka miratuar informacionin për nevojën e anulimit të marrëveshjeve që rregullojnë regjimin pa viza me Rusinë, Bjellorusinë dhe Turqinë.
Malazezët në këtë formë kanë vazhduar përafrimin e politikës së vizave me legjislacionin e Bashkimit Evropian, në kuadër të negociatave për anëtarësim.

Me ndryshimet në Rregulloren për Regjimin e Vizave, të miratuara nga qeveria më 23 korrik, është përcaktuar se nga 1 nëntori 2026, shtetasit e Rusisë, Bjellorusisë dhe Turqisë do të kenë nevojë për vizë për hyrje, transit dhe qëndrim në territorin e Malit të Zi.
Qeveria malazeze ka bërë të ditur se, duke qenë se këto çështje rregullohen edhe përmes marrëveshjeve ndërkombëtare, është e nevojshme të ndërmerren procedurat formale për anulimin e marrëveshjeve dypalëshe me këto tri shtete.
Sa i përket Turqisë, Qeveria e Malit të Zi do të nisë një nismë për lidhjen e një marrëveshjeje të re dypalëshe, e cila do të ruante regjimin pa viza për mbajtësit e pasaportave diplomatike, zyrtare dhe speciale.
Qëllimi i kësaj mase është që, në masën më të madhe të mundshme, të sigurohet vazhdimësia e regjimit pa viza për këto kategori, në përputhje të plotë me rregullat e Bashkimit Evropian. /Telegrafi/





