NATO-ja është e përgatitur t’u përgjigjet incidenteve të sabotimit dhe atyre me dronë në mbarë Evropën dhe ka plane për të trajtuar kërcënime të tilla.
Kështu, siç raportojnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, deklaroi të enjten Sekretari i Përgjithshëm, Mark Rutte.
“Rusia po ndërmerr gjithnjë e më shumë veprime në fushën kibernetike e të tjera, por… NATO-ja është gati për këtë”, ka thënë Rutte gjatë një aktiviteti në Nju-Jork për përkujtimin e sulmeve të 11 shtatorit 2001 ndaj Shteteve të Bashkuara.

“Ne i kemi gati të gjitha këto opsione reagimi… kur bëhet fjalë për kërcënimet hibride, për të siguruar që të mbetemi të fortë”, ka shtuar ai.
Rutte argumentoi se numri në rritje i incidenteve hibride në vendet e NATO-s tregonte se presidenti rus Vladimir Putin po e humbte luftën në Ukrainë, e cila tashmë ka hyrë në vitin e saj të pestë.
“Putini ndodhet në një pozitë të vështirë”, citohet të ketë thënë Rutte, duke shtuar se Rusia nuk po e fiton luftën në Ukrainë dhe se qytetarët e 32 vendeve të NATO-s mund të qëndrojnë të qetë.
Ai u bëri thirrje anëtarëve të NATO-s që të ofrojnë “më shumë mbështetje për Ukrainën” nëse “vërtet duan t’u japin një sinjal rusëve lidhur me çdo incident apo sulm hibrid”.
“Të gjitha opsionet e reagimit janë në dispozicion dhe ne do të përdorim çfarëdo që të jetë e nevojshme”, ka thënë më tej Rutte.
Deklaratat e tij erdhën pasi shërbimi danez i inteligjencës paralajmëroi të enjten për një rrezik në rritje të veprimeve ushtarake ruse kundër vendeve të NATO-s, përfshirë sulme të tjera hibride.
Njëkohësisht, mediat spanjolle raportuan se inteligjenca amerikane kishte paralajmëruar vendet evropiane për një operacion të mundshëm rus me dronë që do të kishte në shënjestër Spanjën, Francën ose Italinë. /Telegrafi/





