Shengen për vendet e Ballkanit Perëndimor – për çfarë bëhet fjalë?

Bota

Bashkimi Evropian duhet t’u ofrojë vendeve të Ballkanit Perëndimor një plan për anëtarësim në zonën Shengen, shkruan Christoph Bender, zëvendëspresident i Qendrës Evropiane për Iniciativa për Stabilitet (ESI), në një koment për gazetën “Neue Zürcher Zeitung”. Sipas tij, një hap i tillë do ta forconte besueshmërinë e BE-së. Bender argumenton se BE-ja po e ka […]

Madhësia e shkronjave

Bashkimi Evropian duhet t’u ofrojë vendeve të Ballkanit Perëndimor një plan për anëtarësim në zonën Shengen, shkruan Christoph Bender, zëvendëspresident i Qendrës Evropiane për Iniciativa për Stabilitet (ESI), në një koment për gazetën “Neue Zürcher Zeitung”. Sipas tij, një hap i tillë do ta forconte besueshmërinë e BE-së.

Bender argumenton se BE-ja po e ka gjithnjë e më të vështirë të ushtrojë ndikim edhe në fqinjësinë e saj të drejtpërdrejtë, ndonëse në të kaluarën zgjerimi i saj në këtë rajon ishte ndër sukseset më të mëdha të politikës së jashtme evropiane.

Sipas propozimit të tij, shtetet anëtare të BE-së do t’i kërkonin Komisionit Evropian të hartonte një katalog kriteresh të bazuara në legjislacionin e Shengenit. Këto do të përfshinin kontrollin e kufijve të jashtëm, politikën e vizave, bashkëpunimin policor dhe mbrojtjen e të dhënave, si dhe kushte shtesë në fushën e sundimit të ligjit.

Komisioni Evropian do të raportonte çdo gjashtë muaj për progresin e vendeve, ndërsa shtetet anëtare do të duhej të jepnin miratimin e tyre pasi një vend t’i përmbushte të gjitha kriteret. Bender thotë se reformat dhe bashkëpunimi që do të rezultonin nga ky proces mund ta forconin sigurinë, e jo ta dobësonin atë, shkruan dw.

Në koment, ai vlerëson se një proces i tillë do të ndihmonte në stabilizimin e vendeve më të ndjeshme të rajonit, përfshirë Bosnjë-Hercegovinën, Serbinë dhe Kosovën, ku boshnjakë, serbë dhe shqiptarë jetojnë në të dyja anët e kufijve.

Sipas Benderit, ndërsa perspektiva e anëtarësimit në BE është bërë më e largët, janë rikthyer narrativat nacionaliste të fundit të viteve ’80, të cilat kontribuuan në luftërat e viteve ’90 dhe në idetë për ndryshimin e kufijve përgjatë vijave etnike.

Ai argumenton se BE-së i nevojitet një propozim bindës përballë këtyre zhvillimeve dhe se përfshirja e Ballkanit në një proces drejt Shengenit do t’u ofronte vendeve të rajonit një alternativë ndaj mosmarrëveshjeve të reja për kufijtë.

Gjermania planifikon të përgjysmojë kuotën për punëtorët nga Ballkani

Ndërkohë, gazeta gjermane “Die Zeit” shkruan për planet e qeverisë në Berlin për të ulur numrin e migrantëve të punës nga Ballkani Perëndimor.

Në qendër të vëmendjes është e ashtuquajtura “Rregullorja për Ballkanin Perëndimor”, e cila u mundëson qytetarëve të Shqipërisë, Bosnjë-Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë të punësohen në Gjermani pa pasur nevojë të dëshmojnë njohjen e gjuhës gjermane apo kualifikimet profesionale. Atyre u nevojitet vetëm një kontratë pune dhe një vend brenda kuotës vjetore, e cila aktualisht është 50 mijë persona.

Rregullorja u vendos në vitin 2016 nga koalicioni i kristiandemokratëve dhe socialdemokratëve, me synimin për të ulur numrin e kërkesave të pabazuara për azil, ndërsa në të njëjtën kohë Gjermania kishte nevojë për fuqi punëtore nga rajoni.

Në vitin 2024, qeveria e përbërë nga socialdemokratët, të gjelbrit dhe liberalët e dyfishoi kuotën në 50 mijë, ndërsa koalicioni aktual kristiandemokrat-socialdemokrat dëshiron ta përgjysmojë sërish atë.

Punëtorët nga Ballkani ende të nevojshëm në Gjermani

Shoqata Federale e Punëdhënësve Gjermanë (BDA) konsideron se nuk ka arsye për uljen e kuotës, pasi nevoja për punëtorë mbetet e madhe, veçanërisht në sektorët e gastronomisë, logjistikës dhe ndërtimtarisë.

BDA paralajmëron se përgjysmimi i kuotës mund të rrezikojë edhe projekte të planifikuara ndërtimore që financohen nga një fond i posaçëm qeveritar.

Me këtë qëndrim pajtohet edhe Agjencia Federale e Punësimit. Vanessa Ahuja, anëtare e bordit drejtues të agjencisë, tha për “Die Zeit” se përgjysmimi i kuotës do ta dobësonte një model të suksesshëm të migrimit.

“Një ulje e mëtejshme e kuotës do t’ua vështirësonte kompanive qasjen te fuqia punëtore”, deklaroi ajo.

Gazeta përmend edhe deputeten e CDU-së në Bundestag, Sandra Karstensen, e cila kundërshton uljen e kuotës. Ajo konsideron se “Rregullorja për Ballkanin Perëndimor” duhet të vazhdojë të zbatohet në formën aktuale dhe jo të kufizohet. /Telegrafi/