Japonia thyen rekord – për herë të parë, numri i personave mbi 100 vjeç kalon 100 mijë

Bota

Japonia prej dekadash po përballet me rënien e numrit të banorëve, por një grupmoshë po shënon rritje të vazhdueshme. Për herë të parë në historinë e vendit, numri i personave mbi 100 vjeç ka kaluar shifrën e 100 mijë, duke vendosur një rekord të ri në një vend të njohur për jetëgjatësinë. Numri i njëqindvjeçarëve […]

Madhësia e shkronjave

Japonia prej dekadash po përballet me rënien e numrit të banorëve, por një grupmoshë po shënon rritje të vazhdueshme.

Për herë të parë në historinë e vendit, numri i personave mbi 100 vjeç ka kaluar shifrën e 100 mijë, duke vendosur një rekord të ri në një vend të njohur për jetëgjatësinë.

Numri i njëqindvjeçarëve është rritur për të 56-in vit radhazi, duke arritur në shtator në 107677 persona, rreth 8000 më shumë se një vit më parë, njoftoi Ministria japoneze e Shëndetësisë, Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Gratë përbëjnë shumicën dërrmuese të kësaj kategorie, me 94.298 persona, ose rreth 88 për qind të totalit. Ministri i Shëndetësisë, Kenichiro Ueno, i cilësoi pozitivisht të dhënat, duke thënë se është kënaqësi të shohësh kaq shumë njerëz që mbeten aktivë dhe të shëndetshëm për një periudhë kaq të gjatë.

Japonia renditet vazhdimisht ndër vendet me jetëgjatësinë më të lartë në botë. Sipas të dhënave të Bankës Botërore, jetëgjatësia mesatare në vend ishte 84 vjet në vitin 2024, shkruan bbc.

Shkencëtarët e lidhin jetëgjatësinë e japonezëve me ushqyerjen e shëndetshme dhe sistemin e avancuar shëndetësor. Një rol luan edhe filozofia japoneze “ikigai”, e cila i nxit njerëzit të gjejnë kuptim, vlerë dhe kënaqësi në jetë.

Japonia tashmë është shtëpia e disa prej njerëzve më të moshuar në botë. Sipas ministrisë, Fuyo Kishimoto, 114 vjeçe nga Kioto, dhe Hikaru Kato, 112 vjeç nga Kumamoto, janë ndër banorët më të moshuar të vendit.

Megjithatë, plakja e popullsisë po krijon gjithnjë e më shumë presion mbi ekonominë e katërt më të madhe në botë. Numri në rritje i të moshuarve po shton kostot e kujdesit shëndetësor dhe social, ndërsa numri i njerëzve në moshë pune po zvogëlohet.

Pavarësisht se japonezët po jetojnë më gjatë, popullsia e vendit, rreth 123 milionë banorë, vazhdon të bjerë për shkak të normës rekord të ulët të lindjeve.

Vitet e fundit Japonia ka lehtësuar hyrjen për punëtorë të kualifikuar dhe punonjës në sektorë të ndryshëm, megjithëse qeveria së fundmi ka forcuar disa kushte për marrjen e vizave, në një kohë kur po rriten edhe qëndrimet kundër të huajve. /Telegrafi/