Sandra Bullock ka rrëfyer disa nga kërkesat e papërshtatshme me të cilat është përballur në fillimet e karrierës së saj si aktore.
Aktorja 62-vjeçare foli për këtë temë gjatë një bisede me mikeshën e saj, Jennifer Aniston, për revistën Interview Magazine.
E pyetur nëse kishte pasur ndonjë moment kur kishte marrë një vendim të vetëdijshëm për llojin e karrierës që dëshironte të ndërtonte, Bullock tregoi një episod nga ditët e saj të para si aktore, për të cilin mendonte se edhe Aniston do ta kuptonte.
“Do ta kuptosh këtë”, nisi ajo. “Isha në Nju Jork, punoja si kameriere dhe shkoja në audicione te çdo pervers që ekzistonte, të cilët më kërkonin të hiqja pantallonat.”

Në fillimet e karrierës së saj, Bullock u shfaq në filma si Working Girl (1990), Speed (1994) dhe Practical Magic (1998). Megjithatë, para se të bëhej e njohur, ajo kishte marrë pjesë në më shumë se një duzinë filmash, disa prej tyre në role shumë të vogla.
“Unë thosha: ‘Jo, ky nuk është roli për mua’. Po ngjitesha gradualisht në karrierë”, vijoi Bullock.
“Çdo aktor që është në fillimet e karrierës mendon se nuk do të punojë më kurrë, ndaj pranon gjithçka që i ofrohet dhe përpiqet të nxjerrë më të mirën prej saj.”
Ylli i Miss Congeniality tregoi gjithashtu se në një moment vendosi të tërhiqej nga rolet në komedi romantike.
“E vetmja herë kur kam qenë vërtet e vetëdijshme dhe e qëllimshme për karrierën time ishte kur thashë: ‘Duhet të ndaloj tani me komeditë romantike’, sepse po merrja shumë kritika për to”, shpjegoi Bullock.
“Dhe pranova një rol në filmin Crash.”
Në filmin e vitit 2004, Bullock interpretoi personazhin Jean, në një kast ku bënin pjesë edhe Don Cheadle dhe Thandiwe Newton. Filmi trajton tensionet racore përmes disa historive të ndërthurura mes banorëve të Los Angeles-it.
“Ishte një film gjenial. Doja të provoja aftësi të tjera si aktore”, i tha Bullock Aniston.





