Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e përcolli kriminelin e luftës Ratko Mladiq me nderime shtetërore, ndërsa me një tjetër, Vojislav Sheshelin, arriti marrëveshje për një aleancë parazgjedhore, deklaroi eurodeputeti kroat dhe raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Tonino Picula.
“Varrimi i Mladiqit është një tjetër ngjarje përmes së cilës u identifikua politika e Beogradit zyrtar. Përcjellja e një krimineli lufte nuk flet vetëm për një qëndrim plotësisht të papranueshëm ndaj së kaluarës së afërt tragjike, por edhe për drejtimin në të cilin kjo qeveri po e çon Serbinë sot. Vuçiq e përcolli një kriminel lufte me nderime shtetërore, ndërsa me një tjetër, Sheshelin, arriti marrëveshje për një aleancë parazgjedhore”, tha Picula gjatë debatit në Parlamentin Evropian për glorifikimin e Ratko Mladiçit.
Ratko Mladiq është dënuar nga gjykata ndërkombëtare në Hagë për gjenocid dhe krime lufte dhe për këtë arsye nuk duhet heshtur për mënyrën e turpshme të përcjelljes së tij, theksoi Picula. Ai shtoi se Bashkimi Evropian duhet të luftojë kundër revizionizmit historik dhe relativizimit të krimeve, raporton N1.

“Nëse autoritetet serbe po enden në mënyrë të programuar, BE-ja duhet të ndalojë së enduri në raport me një pushtet të tillë. Nuk duhet të mbyllë sytë para fakteve se Serbia e Vuçiçit nuk e ka vendin në Bashkimin Evropian… Krimineli i luftës Ratko Mladiç është varrosur, por bashkë me të nuk janë varrosur idetë për Serbinë e Madhe, përkatësisht për të ashtuquajturën botë serbe”, deklaroi Picula.
Eurodeputeti theksoi se, për shkak të gjithë kësaj, shtrohet me të drejtë pyetja nëse Serbia duhet t’i vazhdojë negociatat me BE-në përderisa ka një pushtet të tillë.
Para debatit në Parlamentin Evropian, reagoi edhe Partia Popullore Evropiane (EPP), pjesë e së cilës është si anëtare e asociuar edhe Partia Përparimtare Serbe. EPP dënoi pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë serbë në varrimin e Ratko Mladiçit.
Debati i sotëm nuk pritet të jetë fundi i diskutimeve për Serbinë në Parlamentin Evropian. Në tetor janë planifikuar edhe dy seanca të tjera dhe pritet që në qendër të vëmendjes të jenë sërish jo vetëm varrimi i Ratko Mladiqit, por edhe gjendja e demokracisë në Serbi dhe zhvillimet lidhur me zgjedhjet e caktuara për 25 tetor. Këto çështje pritet të përfshihen edhe në raportin e Komisionit Evropian për Serbinë, i cili pritet të publikohet në fund të tetorit.
Ratko Mladiç, ish-komandant i Ushtrisë së Republikës Srpska, i cili vdiq në Hagë ndërsa vuante dënimin e përjetshëm për gjenocid dhe krime lufte, u varros më 7 shtator në varrezat Topçider të Beogradit. Ceremonia mortore u drejtua nga patriarku serb Porfirije, së bashku me peshkopë të Kishës Ortodokse Serbe.
Në mesin e personave që morën pjesë për t’i bërë nderimet Mladiqit ishin edhe ministra serbë, lideri i koalicionit qeverisës në Republikën Srpska, Milorad Dodik, djali i presidentit serb, Danilo Vuçiq, si dhe ambasadori rus në Serbi, Aleksandar Botsan-Harchenko. /Telegrafi/





