Arsenali ka siguruar kualifikimin në fazën e ardhshme të EFL Cup, pasi ka mposhtur Ipswich Townin me rezultat 4-2 në kuadër të 1/16 së finales.
Skuadra e Mikel Artetës e nisi ndeshjen në mënyrë perfekte dhe e zhbllokoi rezultatin që në minutën e shtatë. Max Dowman realizoi një aksion individual të shkëlqyer, duke depërtuar në zonë dhe duke e dërguar topin në anën e majtë të portës për 1-0.

Arsenali vazhdoi të dominonte dhe në minutën e 16-të e dyfishoi epërsinë. Noni Madueke reagoi shpejt brenda zonës së rreptësisë dhe me një goditje të ulët e dërgoi topin pranë shtyllës së majtë për 2-0. Me këtë rezultat përfundoi edhe pjesa e parë.
Në fillim të pjesës së dytë, Arsenali e vrau praktikisht ndeshjen. Në minutën e 47-të, Dowman shënoi golin e tij të dytë personal, pas një pasimi të saktë nga Martin Zubimendi. Talenti i Arsenalit e mposhti portierin me një goditje të ulët dhe e çoi rezultatin në 3-0.
Në minutën e 58-të erdhi edhe goli i katërt për Arsenalin. Mikel Merino pranoi një pasim në hyrje të zonës dhe me një goditje të bukur e dërgoi topin në rrjetë, pasi ai preku shtyllën e majtë përpara se të përfundonte në portë.
Ipswich reagoi dhe në minutën e 62-të shënoi golin e parë. Jack Clarke shërbeu Anis Mehmetin, i cili mbeti i pambuluar në zonë dhe me goditje të parë e dërgoi topin në këndin e poshtëm të majtë për 1-4.
Vendasit vazhduan të kërkonin golin e dytë dhe atë e gjetën në minutat shtesë. Leif Davis pasoi te Chuba Akpom, i cili goditi nga brenda zonës. Topi u devijua nga mbrojtja dhe përfundoi pas shpinës së Kepa Arrizabalagës, duke e ngushtuar rezultatin në 2-4.
Me fitoren 4-2, Arsenali siguroi kalimin në fazën tjetër të EFL Cup. /Telegrafi/




