Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sonte në Zyrën e Kryeministrit përfaqësuesit politikë të shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, në ditën e dytë të punës pas rizgjedhjes në krye të Qeverisë.
Në takim morën pjesë përfaqësues të partive politike shqiptare nga Lugina e Preshevës, ndër ta Shaip Kamberi, Visar Memeti, Shqiprim Musliu, Sami Salihu, Armend Aliu, Sali Salihu, Agim Sabedini, si dhe kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, kryetari i Bujanocit, Arbër Pajaziti, kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, dhe përfaqësuesi nga Medvegja, Arben Ferati.

Sipas Kurtit, takimi u zhvillua me qëllim të dëgjimit të qëndrimeve të përfaqësuesve shqiptarë dhe diskutimit për sfidat me të cilat përballen shqiptarët në Luginë.
Në fokus të diskutimeve ishte edhe bashkërendimi politik për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve dhe forcimin e përfaqësimit të tyre, veçanërisht atij parlamentar.
“Shqiptarët e Luginës kanë nevojë për bashkëpunim e përgjegjësi të përbashkët. Dallimet partiake janë pjesë e demokracisë, por interesi i qytetarëve duhet të jetë pikëtakimi i angazhimit të të gjithëve”, ka shkruar Kurti.
Kryeministri ka theksuar se mbështetja e Qeverisë së Kosovës për shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës do të vazhdojë.
“Do të jemi pranë tyre në mbrojtjen e të drejtave, ruajtjen e identitetit dhe përmirësimin e jetës së përditshme”, ka deklaruar ai.





