Oligarku i afërt me Putinin i pagoi shpenzimet e ndejës pas dasmës së djalit të Trumpit, reagon presidenti amerikan

Bota

Donald Trump Jr. dhe bashkëshortja e tij, Bettina Trump, konfirmuan dje se oligarku rus Umar Kremlev, i afërt me presidentin Vladimir Putin, ka paguar shpenzimet për një festë luksoze pas dasmës së tyre në një ishull të Karaibeve në muajin maj. Sipas “ProPublica”, Kremlev pagoi qindra mijëra dollarë për shpenzimet e festës së çiftit dhe […]

Madhësia e shkronjave

Donald Trump Jr. dhe bashkëshortja e tij, Bettina Trump, konfirmuan dje se oligarku rus Umar Kremlev, i afërt me presidentin Vladimir Putin, ka paguar shpenzimet për një festë luksoze pas dasmës së tyre në një ishull të Karaibeve në muajin maj.

Sipas “ProPublica”, Kremlev pagoi qindra mijëra dollarë për shpenzimet e festës së çiftit dhe dhjetëra të ftuarve në një ishull privat në Bahamas. Festa nisi një ditë pas dasmës. Ai pagoi gjithashtu edhe fishekzjarrët.

“Shoku ynë i dashur Umar organizoi me shumë bujari dy mbrëmje të jashtëzakonshme festimesh për ne pas dasmës. Ishte një dhuratë dasme jashtëzakonisht bujare nga një mik, për të cilën kemi qenë dhe mbetemi jashtëzakonisht mirënjohës”, shkroi Bettina Trump në Instagram, në një postim të nënshkruar “Don & Bettina”.

Presidenti amerikan, Donald Trump, i cili nuk mori pjesë as në dasmë dhe as në festën pas saj, e minimizoi çështjen. Në një deklaratë për NBC News, ai tha se “nuk është ndonjë gjë e madhe”.

Megjithatë, Trump u shpreh se nuk e njeh Kremlevin. “Nuk kam asnjë ide kush është Umari. Nuk kam dëgjuar kurrë për të”, tha ai.

Nuk është e qartë pse një anëtar i familjes Trump, i cili gjatë vitit të parë të mandatit të dytë të babait të tij ka fituar qindra miliona dollarë, do të pranonte një dhuratë nga një person me lidhje të afërta me Vladimir Putinin.

Bettina Trump tha se qëndrimi në ishull ishte planifikuar shumë kohë më parë si një fundjavë argëtuese me miq. Ndërkohë, fakti që shpenzimet u mbuluan nga Kremlev ka tërhequr vëmendje të madhe, veçanërisht për shkak të lidhjeve të tij me rrethin e presidentit rus.

Donald Trump Jr. dhe Bettina Trump u martuan në maj, ndërsa festa në ishullin privat të Bahamasit u zhvillua një ditë më vonë dhe morën pjesë edhe anëtarë të tjerë të familjes Trump. /Telegrafi/