E ardhmja e Igli Tares te Milani raportohet se është vënë seriozisht në pikëpyetje dhe, sipas mediave italiane, aventura e drejtorit sportiv shqiptar mund të zgjasë vetëm një sezon.
Në prapaskenë flitet për një klimë të tensionuar në klub, ku mosmarrëveshjet brenda drejtimit kanë ndikuar edhe në punën sportive, sidomos në aftin kalimtar.
Sipas shkrimit, marrëdhënia mes Tares dhe CEO-s Giorgio Furlani ka qenë e vështirë që nga dita e parë. Raportohet se stili i Tares – i përshkruar si i drejtpërdrejtë dhe pak i “kompromisueshëm” – nuk është përshtatur lehtë me strukturën aktuale drejtuese të klubit “kuqezi”.
Tensionet, sipas raportimeve, u përshkallëzuan edhe për shkak të transferimeve të verës, ku blerjet e Ardon Jasharit dhe Nkunku (me një kosto totale që thuhet se i afrohet 80 milionë eurove) u kthyen në burim përplasjesh. Situata doli në sipërfaqe edhe në afatin e janarit, kur pretendohet se Tares nuk iu dha buxhet i mjaftueshëm për të vepruar në afatin kalimtar sipas kërkesave të trajnerit.
Një tjetër moment që përmendet si “pika e fundit” në raportet e brendshme është vendimi i Furlanit për të shtyrë fort një marrëveshje për Mateta, pa e njoftuar – sipas shkrimit – as Taren dhe as trajnerin, duke rritur edhe më shumë krisjen në bashkëpunim.
Ende mbetet e paqartë se si dhe kur mund të ndodhë ndarja, por raportimet sugjerojnë se klubi po shkon drejt një vere të nxehtë, ku mund të ketë ndryshime të mëdha në nivel drejtues.
Në të njëjtën linjë, mediat italiane shkruajnë se në verë mund të jenë nën vëzhgim edhe figura të tjera në klub, përfshirë Furlanin, ndërsa edhe pozicioni i trajnerit Massimiliano Allegri përmendet si pjesë e diskutimeve nëse sezoni mbyllet pa objektivat kryesorë. /Telegrafi/






