Lionel Messi vazhdon të marrë vlerësime nga figurat më të mëdha të futbollit botëror pas paraqitjes historike ndaj Algjerisë në Kupën e Botës 2026, ku realizoi het-trik dhe u bë golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave në historinë e turneut.
Këtë herë, lavdërimet erdhën nga legjenda braziliane Ronaldo Nazario, i cili la mënjanë rivalitetin tradicional mes Brazilit dhe Argjentinës për të përshëndetur arritjen e kapitenit argjentinas.
Messi shkroi historinë në fitoren 3-0 të Argjentinës ndaj Algjerisë, duke arritur në kuotën e 16 golave në Kupat e Botës dhe duke kaluar emrat më të mëdhenj që kanë luajtur ndonjëherë në këtë kompeticion.

Ronaldo, i cili e njeh më mirë se kushdo presionin dhe madhështinë e skenës së Kupës së Botës, pranoi se nuk ishte i befasuar që pikërisht Messi arriti ta thyejë rekordin.
“Rekordet janë bërë për t’u thyer dhe njeriu që e theu këtë rekord nuk befason askënd në botën e futbollit. Për më tepër, Argjentina është kampione në fuqi e këtij kompeticioni”.
“Sa herë që Messi zbret në fushë, gjithçka tjetër bëhet histori dhe elegancë”.
“Ka ardhur koha që bota të ndalojë së fshehuri dhe ta pranojë faktin se ai është lojtari më i madh i të gjitha kohërave. Ai vazhdon të performojë çdo sezon dhe në Kupën e Botës, por ende ka njerëz që dyshojnë tek ai”.
“Ishte një natë e paharrueshme dhe historike që do të mbetet përgjithmonë në librat e historisë”, shtoi Ronaldo.
Deklarata e brazilianit pritet të ndezë sërish debatin e përhershëm për lojtarin më të madh të të gjitha kohërave, veçanërisht duke pasur parasysh se vjen nga një prej emrave më të respektuar në historinë e futbollit.
Messi, i cili tashmë ka fituar gjithçka me Argjentinën, përfshirë Kupën e Botës dhe dy trofe të Copa America, vazhdon të shtojë kapituj të rinj në karrierën e tij legjendare edhe në prag të 39-vjetorit./Telegrafi/





