Në kuadër të Samitit të IV të Diasporës, i mbajtur në kryeqytetin shqiptar, Enkel Rexhepi, kryetar i Këshillit Nacional Shqiptar, përfaqësoi shqiptarët e Luginës së Preshevës, duke sjellë në vëmendje rolin dhe sfidat e këtij komuniteti.
Gjatë fjalës së tij, Rexhepi vuri theksin te rëndësia e diasporës shqiptare, duke e cilësuar atë si një forcë të jashtëzakonshme kombëtare, ekonomike dhe sociale. Sipas tij, diaspora përbën një shtyllë të pazëvendësueshme për zhvillimin dhe konsolidimin e kombit shqiptar.

Megjithatë, ai nuk la pa përmendur edhe problemet konkrete me të cilat përballen shqiptarët në Luginën e Preshevës dhe në Sanxhak. Ndër sfidat kryesore, Rexhepi renditi pasivizimin e adresave, mosnjohjen e diplomave, nivelin e lartë të papunësisë si dhe mungesën e zbatimit të marrëveshjeve ekzistuese.
Në mesazhin e tij, ai theksoi se stabiliteti i qëndrueshëm nuk mund të arrihet pa garantimin e barazisë dhe drejtësisë për të gjithë qytetarët. “Lugina e Preshevës ka nevojë për zë, mbështetje dhe veprime konkrete,” u shpreh ai.
Në përfundim, Rexhepi nënvizoi se diaspora shqiptare mbetet një nga aleatët më të fuqishëm në përpjekjet për avancimin e të drejtave dhe përmirësimin e kushteve për shqiptarët në këtë rajon.




