Më 7 qershor 1970, në São Paulo të Brazilit, lindi Marcos Evangelista de Morais, i njohur për botën e futbollit si Cafu – një nga mbrojtësit e djathtë më të mirë në histori.
Legjenda braziliane mbahet mend për karrierën e jashtëzakonshme si me klubet ashtu edhe me kombëtaren e Brazilit, me të cilën fitoi dy herë Kupën e Botës.
Ai mbetet futbollisti i vetëm që ka luajtur në tri finale radhazi të Botërorit, në vitet 1994, 1998 dhe 2002.
Rruga e tij drejt suksesit nuk ishte aspak e lehtë. Një nga gjashtë fëmijët e familjes, Cafu u rrit në favelë e varfër Jardim Irene në São Paulo.
Futbollin e nisi që në moshë të hershme, duke u regjistruar në një akademi futbolli në moshën shtatëvjeçare. Ai kaloi nëpër ekipet e të rinjve të Nacional-SP, Portuguesa dhe Itaquaquecetuba, ndërsa për dy vite luajti edhe futsall.
Pavarësisht talentit, ai u përball me shumë refuzime gjatë rinisë. Në fillim të viteve 1980, dështoi në provat e klubeve të mëdha braziliane si Corinthians, Palmeiras, Santos, Atlético Mineiro dhe Portuguesa. Megjithatë, Cafu nuk u dorëzua.
Mundësia e madhe erdhi në vitin 1988, kur iu bashkua ekipit të të rinjve të São Paulo. Me këtë skuadër fitoi Copa São Paulo de Futebol Júnior, duke hapur rrugën drejt futbollit profesionist.
Në nivel klubesh, Cafu shkroi historinë me São Paulon, ku fitoi dy herë Copa Libertadores dhe Kupën Ndërkontinentale. Më pas luajti për Zaragozën, Palmeirasin, Romën dhe Milanin.
Në Itali, ai fitoi titullin e Serie A me Romën në vitin 2001, ndërsa me Milanin u shpall kampion i Italisë në vitin 2004 dhe fitoi Ligën e Kampionëve në vitin 2007.
Me fanellën e Brazilit zhvilloi 142 ndeshje, rekord për shumë vite mes futbollistëve brazilianë. Ai fitoi Kupën e Botës në vitet 1994 dhe 2002, ndërsa në vitin 2002 udhëhoqi kombëtaren si kapiten drejt titullit botëror.
Cafu mbahet mend për energjinë e pashtershme, shpejtësinë, disiplinën taktike dhe aftësinë për të kontribuar njësoj si në mbrojtje ashtu edhe në sulm.
Historia e tij mbetet një shembull i rrallë i këmbënguljes dhe vendosmërisë, pasi nga një djalë që u refuzua nga shumë klube, ai u shndërrua në një nga legjendat më të mëdha të futbollit botëror. /Telegrafi/
– YouTube www.youtube.com






