Zinedine Zidane pritet të publikojë të premten listën e tij të parë si përzgjedhës i Francës, në prag të grumbullimit të radhës të përfaqësueses gjatë pushimit ndërkombëtar.
Që nga marrja e detyrës pas largimit të Didier Deschamps pas Kampionatit Botëror, Zidane ka punuar intensivisht për të ndërtuar stafin e tij dhe për t’u përgatitur për sfidën e re. Sipas RMC Sport, ish-legjenda e Francës ka zhvilluar një sërë takimesh pune në Paris dhe Madrid, ku jeton.
Disa prej anëtarëve të stafit të tij tashmë ndodhen në Clairefontaine, qendra e grumbullimeve të Francës, ku po përgatiten për ardhjen e futbollistëve të përzgjedhur dhe po punojnë që gjithçka të jetë gati për kampin e parë të Zidane.
Megjithatë, përzgjedhësi i ri duket se dëshiron që ky grumbullim të nisë me rregulla të reja.
Sipas RMC Sport, Zidane synon të ketë sa më shumë kontroll mbi ditët e para të grumbullimit dhe një prej prioriteteve të tij është të kufizojë ekspozimin e futbollistëve ndaj mediave.
Për këtë arsye, gazetarët nuk do të lejohen të jenë të pranishëm gjatë mbërritjes tradicionale të lojtarëve në Clairefontaine.
Kjo traditë ka qenë prej kohësh objekt diskutimesh, veçanërisht për shkak të veshjeve me të cilat futbollistët paraqiteshin në qendrën stërvitore. Tash, Zidane duket se ka vendosur t’i japë fund kësaj praktike, të paktën për momentin.
Foot Mercato e ka cilësuar këtë vendim si një lëvizje të guximshme, pasi përfaqëson një ndryshim të qartë nga qasja e ndjekur nga Deschamps./Telegrafi/






