Nga: Angel Howard / Newsweek Përkthimi: Telegrafi.com
Nuk kemi pasur kurrë më shumë mënyra për të komunikuar, megjithatë lidhja kuptimplote është bërë gjithnjë e më e vështirë. Në një epokë të përcaktuar nga ndërveprimi i vazhdueshëm digjital dhe IA-ja [inteligjenca artificiale], besoj se sfida jonë më e madhe në komunikim nuk është mungesa e bisedës. Është mungesa e ndërgjegjësimit mbi veten dhe në përgjithësi e inteligjencës emocionale.
Kemi më shumë mënyra për t’u lidhur me njëri-tjetrin se në çdo periudhë tjetër të historisë. Dërgojmë mesazhe menjëherë, zhvillojmë takime përtej kontinenteve dhe, gjithnjë e më shumë, mbështetemi tek inteligjenca artificiale për të na ndihmuar të shkruajmë, të hulumtojmë dhe të përgjigjemi. Megjithatë, lidhja e vërtetë shpeshherë duket më e vështirë se kurrë. Njerëzit ndihen të padëgjuar në marrëdhëniet e tyre, të keqkuptuar në punë dhe të shkëputur nga komunitetet e tyre. Problemi nuk është mungesa e komunikimit. Është mungesa e ndërgjegjësimit mbi vete.
Kjo tani ka rëndësi më shumë se kurrë. Teksa IA-ja po e transformon me shpejtësi mënyrën se si punojmë dhe ndërveprojmë, cilësitë që na bëjnë në qartësisht njerëzorë po bëhen më të vlefshme – jo më pak të vlefshme. Inteligjenca emocionale është njëra prej tyre. Por, inteligjenca emocionale nuk fillon me të kuptuarit e njerëzve të tjerë. Ajo fillon me të kuptuarit e vetvetes.
Shumë shpesh përpiqemi t’i përmirësojmë marrëdhëniet tona duke ndryshuar atë që themi, në vend që të shqyrtojmë se çfarë po sjellim ne vetë në bisedë.
Pse më mërziti kaq shumë ai koment? Pse vazhdoj t’i përsëris të njëjtat modele marrëdhëniesh? Pse e kam të vështirë të shpreh atë që më nevojitet përpara se të më pushtojë frustrimi?
Këto pyetje janë shumë më të rëndësishme sesa gjetja e përgjigjes së përsosur. Ato tregojnë se komunikimi fillon shumë kohë përpara se fjalët të dalin nga goja jonë.
Kam kaluar vite të tëra duke studiuar sjelljen njerëzore dhe një mësim ka mbetur jashtëzakonisht i qëndrueshëm: njerëzit komunikojnë shumë më tepër sesa përmes gjuhës. Ne komunikojmë përmes tonit të zërit, pozës, frymëmarrjes, shprehjeve të fytyrës dhe gjendjes emocionale. Kur fjalët tona thonë një gjë, por trupi ynë komunikon diçka tjetër, njerëzit e vënë re. Ata mund të mos e dinë pse diçka nuk u duket në rregull, por e ndiejnë këtë mospërputhje. Mendja juaj mund të besojë se po dërgon një mesazh, ndërsa trupi juaj po përcjell diçka krejt tjetër.
Pikërisht për këtë arsye besoj se inteligjenca emocionale fillon përpara komunikimit.
Një nga gabimet më të mëdha që bëjmë është ta ndajmë mendjen nga trupi. Në të vërtetë, ato punojnë vazhdimisht së bashku. Shumë kohë përpara se ta dallojmë me vetëdije frikën, ankthin ose zemërimin, trupi ynë veçse ka reaguar, shpeshherë. Një bisedë e vështirë na tendos shpatullat. Stresi na e shkurton frymëmarrjen. Ankthi na e bën nyjë stomakun. Këto reagime fizike nuk janë bezdi që duhen shpërfillur. Ato janë informacion me vlerë.
Megjithatë, shumë prej nesh janë mësuar t’i shpërfillin ato.
Në vend që të pyesim pse ndihemi të parehatshëm, vazhdojmë tutje. Në vend që të bëhemi kureshtarë, e shtypim atë që ndiejmë. Me kalimin e kohës humbasim kontaktin me vetë sinjalet që mund të na ndihmonin të komunikonim më me ndershmëri.
Këndvështrimi im u formua prej shumë viteve si sportiste dhe kërcimtare, ku vetëdija për trupin ishte thelbësore. Këto përvoja më mësuan se vetëdija e vërtetë nuk është kurrë thjesht intelektuale. Trupi komunikon vazhdimisht, nëse jemi të gatshëm ta dëgjojmë. Më vonë, edhe zhvillimi im personal përforcoi të njëjtin mësim: përgjigjet për të cilat kisha nevojë nuk u gjetën kurrë duke kërkuar më larg jashtë vetes. Ato erdhën duke mësuar të bëhesha mjaftueshëm e qetë për të parë brenda vetes.
Ky mësim u bë edhe më i rëndësishëm ndërsa inteligjenca artificiale po riformëson pothuajse çdo aspekt të jetës moderne. IA-ja mund të përmbledhë informacionin, të gjenerojë përmbajtje dhe të zgjidhë probleme komplekse më shpejt se kurrë më parë. Edhe unë e përdor, sepse është mjet i jashtëzakonshëm. Por, pavarësisht sa e sofistikuar bëhet, ajo nuk mund të ndiejë.
Ajo nuk mund të përjetojë empati. Nuk mund të ndërtojë besim. Nuk mund ta kuptojë cenueshmërinë që kërkohet për të kërkuar falje, për të falur ose për të ngushëlluar një qenie tjetër njerëzore. Këto përvoja mbeten vetëm tonat. Pikërisht për këtë arsye besoj se inteligjenca emocionale po bëhet më e vlefshme në epokën e IA-së. IA-ja mund të na ndihmojë ta përpunojmë informacionin. Inteligjenca emocionale na ndihmon të përpunojmë vetveten.
Bizneset tashmë po e njohin këtë ndryshim. Shkolla e Biznesit e Harvardit thekson se ndërsa IA-ja merr përsipër gjithnjë e më shumë punët rutinore dhe analitike, ekspertët e lidershipit po i drejtohen gjithnjë e më shumë inteligjencës emocionale, empatisë, gjykimit etik dhe ndërtimit të marrëdhënieve si aftësi njerëzore të cilat makinat nuk mund t’i riprodhojnë. Për mua, pikërisht aty po shkon e ardhmja e lidershipit. Sa më e aftë të bëhet IA-ja, aq më të vlefshme do të bëhen cilësitë tona qartësisht njerëzore.
I njëjti parim vlen shumë përtej vendit të punës.
Familjet nuk e humbasin lidhjen sepse u mungojnë mënyrat për të komunikuar. Marrëdhëniet rrallëherë dështojnë sepse njerëzve u mbarojnë fjalët. Më shpesh, ato hasin vështirësi sepse njerëzit nuk ndihen tamam të sigurt emocionalisht për të shprehur atë që vërtet u nevojitet.
Një nga keqkuptimet më të mëdha për zhvillimin personal është se ai kërkon të bëhesh dikush tjetër. Unë nuk e besoj aspak këtë.
Njohja e vetvetes nuk është më vetëm një ushtrim i zhvillimit personal. Ajo po bëhet imperativ ekonomik dhe shoqëror. Nëse inteligjenca emocionale është një nga aftësitë e pakta që IA-ja nuk mund t’i riprodhojë, duhet të fillojmë ta trajtojmë si të tillë. Shkollat duhet ta mësojnë inteligjencën emocionale krahas lëndëve akademike. Universitetet dhe programet profesionale duhet t’i përgatisin udhëheqësit e ardhshëm të menaxhojnë njerëzit po aq sa teknologjinë. Dhe, kompanitë që investojnë shumë në IA duhet të investojnë qëllimisht po aq edhe në trajnimin për inteligjencën emocionale të drejtuesve, menaxherëve dhe ekipeve të inxhinierisë.
Nuk mund të presim që njerëzit të cilët po ndërtojnë teknologjitë e së nesërmes të kenë sukses, nëse nuk janë po aq të pajisur për të kuptuar veten dhe njerëzit të cilëve ato teknologji synojnë t’u shërbejnë.





