Përzgjedhësi i Kosovës U21, Hekuran Kryeziu, ka publikuar listën e futbollistëve të ftuar për ndeshjet e radhës në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2027.
“Dardanët” e rinj do të zhvillojnë tri ndeshje gjatë fundit të shtatorit dhe fillimit të tetorit, ku fillimisht do të përballen me San Marinon në udhëtim, ndërsa më pas do të kenë dy ndeshje në stadiumin “Fadil Vokrri” ndaj Qipros dhe Finlandës.
Në listën e Kryeziut janë përfshirë tre portierë, gjashtë mbrojtës dhe 13 futbollistë të repartit të mesfushës dhe sulmit.
Portierët: Laurent Sejdi, Altin Gjokaj, Amar Emini.
Mbrojtësit: Andi Veliqi, Fuad Ajvazi, Ledjan Sahitaja, Lendrit Shala, Leon Parduzi dhe Luan Lleshi.
Mesfushorë/Sulmues: Faton Ademi, Dardan Morina, Arjanit Fazlija, Arjol Bllaca, Dren Zeqiri, Blerton Isufi, Lirim Jashari, Arianit Hasani, Erion Sadriu, Laurent Xhylani, Elvir Gashjani, Iqball Jashari, Hekuran Berisha dhe Medin Gashi.
Kosova U21 do ta nisë serinë e këtyre ndeshjeve më 24 shtator, kur në “San Marino Stadium” në Serravalle do të përballet me San Marinon, me fillim nga ora 20:30.
Pesë ditë më vonë, më 30 shtator, “Dardanët” do të rikthehen në Prishtinë, ku në stadiumin “Fadil Vokrri” do ta presin Qipron. Kjo ndeshje nis në orën 19:00.
Ndërkohë, sfida e tretë do të zhvillohet më 6 tetor, po ashtu në “Fadil Vokrri”, ku Kosova U21 do të përballet me Finlandën, nga ora 19:00./Telegrafi/






