Libri i Charles Spencer për motrën e tij, Princeshën Diana, shkaktoi një stuhi të vërtetë në publikun britanik edhe para se të dilte në shitje.
Në kujtimet e shumëpritura “Swan Song: Diana, My Sister”, Spencer bën akuza të rënda për sjelljen e Mbretit Charles ndaj ish-gruas së tij, si gjatë martesës ashtu edhe në ditët pas vdekjes së saj.
Fragmente nga libri, i botuar nga Daily Mail përpara publikimit zyrtar të martën e ardhshme, përqendrohen në veprimet e Charles – nga deklaratat ndaj Dianës para dasmës deri te komentet e bëra ndaj vëllait të saj përpara funeralit. Pallati i Buckingham-it tashmë i është përgjigjur disa prej këtyre pretendimeve, duke thënë shkurt se janë të vetëdijshëm se “trishtimi mund të turbullojë arsyen dhe kujtimet”.
“Ai tingëllonte jashtëzakonisht i gëzuar – si një fitues i llotarisë”

Në libër, Spencer kujton një bisedë telefonike me Princin e atëhershëm Charles menjëherë pas aksidentit me makinë në të cilin Diana humbi jetën në vitin 1997, duke e përshkruar tonin e tij si çuditërisht biznesor.
“Ndryshe nga njerëzit e tjerë që më telefonuan të shokuar, duke mezi arritur të shprehnin ngushëllime dhe të ofronin ndihmë, ai dukej jashtëzakonisht i gëzuar – si një fitues lotarie, mendova në atë kohë”, tha Spencer. “Duke parë prapa tani, dyshoj se reagimi i parë i princit ishte të mendonte se si kjo ngjarje e liroi atë të martohej me gruan që donte, në vend që të mendonte për humbjen e asaj që nuk e donte”.
Konflikt për funeralin dhe akuza për “mungesë të ndjenjës së detyrës”
Në fragmente të botuara të enjten, Spencer gjithashtu detajon shpërthimin e Charles kur ai kundërshtoi që djemtë, William dhe Harry, të ecnin pas arkivolit të nënës së tyre.
Pasi Spencer theksoi se Diana nuk do ta kishte dashur kurrë këtë, Çarlsi reagoi dhunshëm, duke i kujtuar se e kishte bërë në funeralin e Lord Mountbatten. Kur Spencer u përgjigj se në atë kohë ishte 30 vjeç dhe se Mountbatten nuk ishte nëna e tij, Princi i atëhershëm i Uellsit, sipas librit, u tërbua plotësisht:
«Ky është problemi me familjen tënde. Ti nuk ke asnjë ndjenjë detyre», bërtiti Çarlsi përpara se të shpërthente një shpërthim i përgjithshëm zemërimi.
Rrëfime të hapura dhe sekrete të Princeshës Diana
Spencer zbulon se në vitet e mëvonshme, motra e tij shkoi disa herë me makinë në shkëmbinjtë e Beachy Head në East Sussex me mendime për vetëvrasje, por dashuria për djemtë e pengoi ta bënte këtë.
Spencer e hodhi poshtë gjestin e Mbretëreshës Elizabeth II për t’i rikthyer pas vdekjes titullin e Lartësisë së Saj Mbretërore Dianës, duke e konsideruar atë një “çmim ngushëllimi”. Ai theksoi se Diana u lëndua thellësisht kur titulli iu hoq dhe se nuk kishte kuptim ta rikthente atë pasi të kishte vdekur.
Spencer kujtoi gjithashtu ditën e dasmës mbretërore në korrik të vitit 1981. Vetëm shumë më vonë mësoi se vetëm një ditë para ceremonisë, Charles i kishte thënë Dianës se ishte i lumtur që po martohej me të, por se në të vërtetë nuk e donte.





