Ella Beatty, vajza e aktorëve të njohur Warren Beatty dhe Annette Bening, po përgatitet për një hap të rëndësishëm në karrierën e saj.
26-vjeçarja do të luajë rolin kryesor të Lizzie Borden në serialin e Netflix, “Monster: The Lizzie Borden Story”.
Lizzie Borden u akuzua për vrasjen e prindërve të saj, Andrew dhe Abby Borden, në vitin 1892, në një ngjarje që tronditi opinionin publik. Një vit më vonë, ajo u shpall e pafajshme nga një juri vetëm me burra, shkruan DailyMail.

Ella është fëmija më i vogël i Warren Beatty dhe Annette Bening, ndërsa tezja e saj është aktorja Shirley MacLaine.
Ajo ka pranuar se të qenit vajza e dy aktorëve të njohur i ka sjellë një privilegj dhe ekspozim të veçantë, por ka theksuar se dëshiron të ndërtojë rrugën e saj në industri.
E rritur mes studiove të xhirimit dhe teatrove, Ella e kishte të qartë që në fëmijëri se donte të bëhej aktore.
Ajo mori pjesë në produksione teatrale të “Annie”, “The Lion King” dhe “The Little Mermaid”, ndërsa më pas studioi dramë në Shkollën Juilliard në New York, ku u diplomua në vitin 2022.
Pas studimeve, Beatty siguroi rolin e saj të parë televiziv në serialin antologjik të FX, “Feud: Capote v The Swans”.
Tashmë, me rolin e Lizzie Borden në “Monster”, ajo po merr një nga sfidat më të rëndësishme të karrierës së saj të re. /Telegrafi/





