Netanyahu kërcënon me heqje shtetësie për kritikët e ushtrisë izraelite

Bota

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu ka bërë thirrje për heqjen e shtetësisë së personave që kritikojnë ushtrinë izraelite, duke theksuar se do të propozojë dy ligje të reja. Kjo nismë është një përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj dokumentarit “NAZA”, në të cilin ushtarë izraelitë dëshmojnë për krime lufte të kryera në Gaza. Në një deklaratë përmes rrjeteve […]

Madhësia e shkronjave

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu ka bërë thirrje për heqjen e shtetësisë së personave që kritikojnë ushtrinë izraelite, duke theksuar se do të propozojë dy ligje të reja.

Kjo nismë është një përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj dokumentarit “NAZA”, në të cilin ushtarë izraelitë dëshmojnë për krime lufte të kryera në Gaza.

Në një deklaratë përmes rrjeteve sociale, Netanyahu njoftoi se do t’i dërgojë parlamentit dy propozime të reja ligjore, të cilat përfshijnë heqjen e shtetësisë për këdo që shpif ndaj ushtarëve, si dhe gjoba të mëdha, përkatësisht rritjen deri në 20-fish të shumës së dëmshpërblimit për shpifje.

“Do t’i godasim edhe në xhep, edhe në shtetësi, sepse nuk e kanë vendin mes nesh”, deklaroi ai.

Në shënjestër të këtyre paralajmërimeve janë drejtpërdrejt Yuval Abraham dhe Rachel Szor, autorët e dokumentarit “NAZA”. Filmi së fundmi fitoi çmimin special të jurisë në Festivalin e Filmit në Venecia, gjë që shkaktoi reagime të ashpra në nivelet më të larta të qeverisë izraelite.

Ministri i Kulturës, Miki Zohar, e cilësoi filmin si “të neveritshëm”, ndërsa çmimin e përshkroi si “tronditës”. Zohar i akuzoi autorët për tradhti ndaj shtetit dhe urrejtje ndaj vetvetes, me qëllim “marrjen e duartrokitjeve nga antisemitët”, ndërsa paralajmëroi se personalisht do të veprojë për t’ua hequr shtetësinë.

Filmi “NAZA” bazohet në intervista me 24 pjesëtarë anonimë të ushtrisë dhe shërbimeve izraelite të inteligjencës. Në film, ata përshkruajnë në detaje se si ushtria përdor sisteme të inteligjencës artificiale (AI) për përzgjedhjen e objektivave dhe kryerjen e sulmeve, duke pranuar me vetëdije një numër të madh viktimash civile.

Si shembullin më drastik, një nga ushtarët e intervistuar përmendi një rast në të cilin ushtria kishte miratuar vrasjen e deri në 500 civilëve vetëm për të eliminuar një pjesëtar të rangut të lartë të Hamasit.

Ushtria izraelite i ka hedhur poshtë plotësisht të gjitha pretendimet e paraqitura në dokumentar. /Telegrafi/