Në Yellowstone gjenden 280 kapele dhe 6 aparate dentare mes mbeturinave

Life/Bizare

Parku Kombëtar Yellowstone ka hequr një sasi rekord mbeturinash nga zonat hidrotermale gjatë vitit 2026, ku mes sendeve të gjetura janë edhe 280 kapele dhe gjashtë aparate dentare Invisalign. Ekipi i gjeologjisë së parkut ka mbledhur deri tani më shumë se 20,100 copë mbeturina letre dhe plastike, rreth 5,600 gurë dhe shkopinj, si dhe qindra […]

Madhësia e shkronjave

Parku Kombëtar Yellowstone ka hequr një sasi rekord mbeturinash nga zonat hidrotermale gjatë vitit 2026, ku mes sendeve të gjetura janë edhe 280 kapele dhe gjashtë aparate dentare Invisalign.

Ekipi i gjeologjisë së parkut ka mbledhur deri tani më shumë se 20,100 copë mbeturina letre dhe plastike, rreth 5,600 gurë dhe shkopinj, si dhe qindra sende të tjera nga zonat pranë gejzerëve, përfshirë Old Faithful.

Mes gjetjeve më të pazakonta janë një kapele e Botërorit FIFA 2026, një kapele Roblox, pesë AirPods, një inhalator, tre kunja golfi dhe një kartë e vetme nga loja Uno.

Ekipi ka gjetur gjithashtu 54 kapakë lentesh kamerash, 47 lidhëse flokësh, 17 biberonë, 20 karta hotelesh, 42 lapsa dhe 36 palë syze dielli. Në zonat hidrotermale janë mbledhur edhe monedha të ndryshme me vlerë mbi 18 dollarë.

Por disa prej sendeve janë edhe më të pazakonta: 15 thonj artificialë, gjashtë aparate Invisalign, shumë fill dentar dhe një copë slime rozë me shkëlqim, e ngjitur në materialin e depozituar nga gejzerët.

Në mesin e lodrave u gjetën makina të vogla garash, topa kërcyes, figura të ndryshme, rosa gome, si dhe një lodër e McDonald’s e vitit 2010.

Sipas ekipit të Yellowstone, heqja e këtyre sendeve është e domosdoshme, pasi çdo material i huaj mund të dëmtojë ose ndryshojë përgjithmonë sistemet hidrotermale.

“Pavarësisht llojit të mbeturinave, ato duhet të hiqen”, tha Margery Price nga Programi i Gjeologjisë së Yellowstone, transmeton Telegrafi.

Ajo paralajmëroi se mbeturinat mund të bllokojnë furnizimin me ujë, të ndryshojnë rrjedhën e tij ose të ndotin zonat me kimikate dhe sedimente.

Parku ka edhe një shembull historik: Morning Glory Pool ndryshoi ngjyrë gjatë shekullit XX, pasi vizitorët hidhnin mbeturina dhe sende brenda tij. /Telegrafi/