Ylli i futbollit norvegjez, Erling Haaland, është nderuar me çmimin “Miku i Vitit” nga Shoqata e Bibliotekave Norvegjeze.
Sulmuesi 26-vjeçar i Manchester Cityt nuk ishte i pranishëm në ceremoninë e ndarjes së çmimit, ndaj motrat e tij, 12-vjeçarja Norah dhe dyvjeçarja Sofie, e pranuan trofeun në emër të tij.
“Rrofshin shkrimtarët, mësuesit, studentët, shkollat dhe librat. Të gjithë së bashku përbëjnë një ekip të rëndësishëm”, ishte mesazhi i Haalandit me rastin e këtij çmimi.
Këtë vit, Haalandi bleu librin më të shtrenjtë në historinë e Norvegjisë, duke paguar 120 mijë euro, ose rreth 1.3 milionë korona norvegjeze, për një kopje të botimit të parë të shtypur norvegjez të “Sagave Mbretërore”, vepër e shkrimtarit, historianit, poetit dhe kronistit islandez Snorri Sturluson.
Haalandi e kaloi fëmijërinë në Bryne, ku edhe nisi të luante futboll, ndërsa së fundmi i dhuroi qytetit një bibliotekë.
Ai gjithashtu ka sponsorizuar një konkurs leximi për shkollat fillore në Rogaland, ndërsa klasa fituese do të ftohet në një ndeshje të kombëtares norvegjeze në Oslo.
Haalandi do t’i mbulojë të gjitha shpenzimet që lidhen me transportin, akomodimin dhe qëndrimin e nxënësve gjatë ndeshjes.
“Kam një lidhje të fortë me Brynen dhe blerja e librit të lartpërmendur është thjesht dhurata ime për gjithçka. Nuk kam qenë kurrë një lexues i madh dhe më vjen shumë keq për këtë. Tani e kuptoj se sa e rëndësishme është që në moshë të re të lindin ëndrrat”, ka thënë ylli norvegjez i futbollit./Telegrafi/






