Përfaqësuesja e Kosovës në xhudo ka zhvilluar një paraqitje të jashtëzakonshme në Kampionatin Ballkanik për Seniorë, i cili u mbajt në Tiranë të Shqipërisë, duke siguruar gjithsej nëntë medalje.
Xhudistët kosovarë dominuan në garat rajonale, duke fituar pesë medalje të arta, tri të argjendta dhe një medalje të bronztë, duke konfirmuar edhe një herë forcën e këtij sporti në arenën ndërkombëtare.
Medaljet e arta për Kosovën i fituan Erza Muminoviq në kategorinë deri në 48 kilogramë, Laurina Gashi në kategorinë deri në 52 kilogramë, Flaka Loxha në kategorinë deri në 57 kilogramë, Elvira Ukaj në kategorinë deri në 70 kilogramë dhe Dardan Cena në kategorinë deri në 73 kilogramë.
Në podiumin e dytë u ngjitën Fatjona Kasapi në kategorinë deri në 52 kilogramë, Enise Zijade në kategorinë deri në 57 kilogramë dhe Shpati Zekaj në kategorinë deri në 100 kilogramë, të cilët siguruan medalje të argjendta.
Medaljen e bronztë për Kosovën e fitoi Furkan Kelmendi në kategorinë deri në 60 kilogramë.
Përveç medalistëve, rezultate të mira regjistruan edhe Arba Hasanaj në kategorinë deri në 70 kilogramë, Andi Reshitaj në kategorinë deri në 66 kilogramë dhe Jon Veseli në kategorinë deri në 73 kilogramë, të cilët e përfunduan garën në vendin e pestë.
Në Kampionatin Ballkanik, ekipin kosovar e udhëhoqën emra të njohur të xhudos, si Majlinda Kelmendi, Fatos Tabaku dhe Kushtrim Gashi, ndërsa drejtësinë në tatami e ndau gjyqtari kosovar Zymer Zeka.
I pranishëm në këtë garë ishte edhe Driton Kuka, i cili mori pjesë në cilësinë e delegatit të Federatës Ballkanike të Xhudos (BJA)./Telegrafi/






