Reperi i njohur, G-Bani, u është drejtuar fansave me një kërkesë të pazakontë, duke hapur një fushatë në platformën GoFundMe për të siguruar fondet e nevojshme për realizimin e projektit të tij më të ri muzikor, “Assasin”.
Përmes një mesazhi publik, artisti shprehet se hip-hopi me mesazhe sociale po kalon një periudhë të vështirë dhe se krijuesit e pavarur kanë gjithnjë e më pak mbështetje, qoftë nga organizatorët, mediat apo institucionet shtetërore.

Sipas tij, kjo e ka bërë të domosdoshme kërkimin e ndihmës direkt nga publiku.
G-Bani thekson se, pas afro tri dekadash në skenën muzikore, dëshiron të vazhdojë të trajtojë tema që, sipas tij, shpesh mbeten jashtë vëmendjes, duke sjellë histori dhe këndvështrime të ndryshme përmes muzikës.
“Assasin” do të jetë projekti i tretë me frymë protestuese në vazhdën e këngëve “In Extrems” dhe “Diktatori”.
Reperi bën të ditur se frymëzimi për këtë krijim lidhet edhe me zhvillimet politike dhe sociale në Shqipëri, duke përmendur protestën e mbajtur më 26 korrik 2026 pranë Kuvendit Popullor.
Përmes fushatës së hapur, artisti synon të mbledhë 2,000 funte, të cilat do të shërbejnë për mbulimin e kostove të produksionit, përfshirë orkestrimin, regjistrimin, miksimin, masterizimin dhe realizimin e videoklipit zyrtar. /Telegrafi/





