Presidenti i Finlandës, Alexander Stubb, ka deklaruar se nuk ka ndërmend të marrë rolin e ndërmjetësit në një dialog të mundshëm mes Bashkimit Evropian dhe presidentit rus, Vladimir Putin, duke theksuar se kjo përgjegjësi duhet t’u takojë fuqive më të mëdha evropiane.
Sipas tij, vendet si Franca, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar janë më të përshtatshme për të udhëhequr çdo proces të mundshëm negociues me Kremlinin, për shkak të peshës së tyre politike dhe diplomatike në skenën ndërkombëtare.

Stubb shtoi se shtete më të vogla si Finlanda apo Norvegjia mund të luajnë një rol mbështetës në procesin e dialogut, por nuk duhet të marrin rol kryesor në negociata.
Deklarata e tij vjen në një kohë kur në Evropë po shtohen diskutimet mbi mënyrat e mundshme të rikthimit të kontakteve diplomatike me Rusinë, pas një periudhe të gjatë tensionesh të thella që kanë pasuar luftën në Ukrainë.
Megjithatë, presidenti finlandez theksoi gjithashtu se Evropa duhet të ruajë kanalet e komunikimit me Kremlinin, duke argumentuar se situata aktuale në fushën e betejës tregon se Ukraina ndodhet në një pozicion relativisht të fortë.
Këto deklarata pritet të nxisin debat brenda BE-së mbi rolin e vendeve anëtare në çdo proces të ardhshëm negociues me Rusinë dhe mbi mënyrën se si duhet të menaxhohet diplomacia evropiane në kushtet e luftës në Ukrainë. /Telegrafi/





