Mbrojtësi i Kosovës, Lumbardh Dellova, është shumë pranë një transferimi të madh, pasi raportohet se është në prag të kalimit te gjiganti ukrainas Dinamo Kiev.
Lajmi është bërë i ditur nga gazetari ukrainas Alex Ivanchenko dhe më pas është shpërndarë edhe nga disa mediume bullgare.
Sipas raportimeve, 27-vjeçari është në bisedime të avancuara me drejtuesit e klubit që njihet si më i trofeshmi në futbollin ukrainas.
Dellova është pjesë e CSKA Sofjes që nga korriku i vitit 2024. Me klubin bullgar ai ka zhvilluar 65 ndeshje, duke realizuar katër gola dhe dy asistime, statistika të mira për një futbollist defensiv.
Në karrierën e tij, Dellova ka luajtur edhe në Kosovë për Ballkanin dhe Prishtinën, ndërsa ka pasur edhe një eksperiencë jashtë vendit me Hajdukun e Splitit në Kroaci. /Telegrafi/






