“Edhe ju keni bërë gabime, askush nuk është perfekt” – Taulanti i del në krah Granitit

Sport

Taulant Xhaka ka reaguar pas pranimit publik të vëllait të tij, Granit Xhakës, se kishte siguruar një certifikatë vaksinimi kundër COVID-19 gjatë vitit 2022. Ish-futbollisti i Kombëtares së Shqipërisë ka bërë një postim në Instagram, përmes të cilit ka kërkuar që kontributi shumëvjeçar i Granitit me fanellën e Zvicrës të mos harrohet për shkak të […]

Madhësia e shkronjave

Taulant Xhaka ka reaguar pas pranimit publik të vëllait të tij, Granit Xhakës, se kishte siguruar një certifikatë vaksinimi kundër COVID-19 gjatë vitit 2022.

Ish-futbollisti i Kombëtares së Shqipërisë ka bërë një postim në Instagram, përmes të cilit ka kërkuar që kontributi shumëvjeçar i Granitit me fanellën e Zvicrës të mos harrohet për shkak të rastit të fundit.

“Ju lutem mos harroni kurrë një gjë: atë që Granit Xhaka, vëllai im, ka bërë për Zvicrën gjatë gjithë këtyre viteve. Sa zemër, pasion dhe krenari ka treguar për këtë vend dhe këtë fanellë”, ka shkruar Taulant Xhaka.

Ai ka theksuar se gabimet janë pjesë e jetës dhe se askush nuk është i pagabueshëm.

“Të gjithë bëjnë gabime. Askush nuk është perfekt”, ka shkruar ai, duke iu drejtuar më pas edhe gazetarëve që kanë raportuar për rastin.

“Edhe ju keni bërë gabime në jetën tuaj”, ka shtuar Taulanti.

Në mesazhin e tij, ai ka vënë theksin te përgjegjësia dhe mësimi nga gabimet, duke thënë se më e rëndësishmja është mënyra se si një person përballet me një gabim.

“Gjëja thelbësore nuk është që të mos bëni kurrë gabime, por që t’i pranoni ato, t’i pranoni dhe të mësoni prej tyre”, ka shkruar Taulant Xhaka.

Granit Xhaka pranoi të hënën se gjatë pandemisë kishte blerë një certifikatë vaksinimi, duke thënë se në atë periudhë kishte pasur shqetësime dhe mosbesim lidhur me vaksinën. Ai e cilësoi vendimin si gabim, kërkoi falje dhe deklaroi se do të bashkëpunojë me autoritetet.

Pas këtij zhvillimi, Xhaka nuk është bashkuar me Kombëtaren e Zvicrës për ndeshjet e ardhshme të Ligës së Kombeve. Vendimi për të mos qenë pjesë e grumbullimit është marrë në bashkëpunim mes futbollistit dhe Federatës Zvicerane të Futbollit.

Ndërkohë, çështja e tij është duke u trajtuar edhe nga autoritetet zvicerane, ndërsa Granit Xhaka ka bërë të ditur se do të bashkëpunojë me organet përkatëse gjatë procesit të sqarimit të rastit. /Telegrafi/