Kombëtarja e Kosovës ka nisur sot përgatitjet për ndeshjet e radhës në kuadër të Ligës së Kombeve.
Në ditën e parë të grumbullimit, futbollistët që kishin luajtur me klubet e tyre gjatë fundjavës zhvilluan seancë në fushë, ndërsa ata që kishin pasur angazhime të shtunën ose të dielën dhe kishin nevojë për rikuperim punuan në palestër.
Në fushë u paraqitën Lindon Emërllahu, Baton Zabërgja, Leart Sadriu, Erblin Osmani, Vessell Demaku, Meriton Korenica, Dion Kacuri, Mërgim Vojvoda, Veldin Hoxha, Albion Rrahmani, Visar Bekaj dhe Amir Saipi.
Ndërkohë, Vedat Muriqi, Valmir Matoshi, Lumbardh Dellova, Ermal Krasniqi dhe Dion Gallapeni zhvilluan program rigjenerues në palestër.
Disa futbollistë të tjerë iu bashkuan grumbullimit gjatë ditës dhe nuk patën mundësi të jenë pjesë e seancës së parë. Milot Avdyli, treshja e Hoffenheimit, Fisnik Asllani, Leon Abdullahu dhe Albian Hajdari, si dhe Arijanet Muriqi e Edon Zhegrova, arritën gjatë pasdites.
Për shkak të orarit të ardhjes, këta futbollistë nuk morën pjesë në stërvitjen e parë të Kombëtares.
Me ardhjen e të gjithë futbollistëve, Kombëtarja e Kosovës pritet që nesër ta zhvillojë stërvitjen me grupin e plotë, duke vazhduar përgatitjet për sfidat e radhës në Ligën e Kombeve.
Seanca e parë u zhvillua në stadiumin “Fadil Vokrri”, ndërsa fokusi i përzgjedhësit Franco Foda dhe stafit të tij tashmë është te përgatitja e skuadrës për ndeshjet e ardhshme. /Telegrafi/






