Trepça dhe Bashkimi shfaqën basketboll të nivelit të lartë edhe në duelin e dytë të finales, ndërsa rezultati e dëshmon më së miri këtë. Trepça fitoi 93:83 para tifozëve të vet të zjarrtë, që ishin në numër të madh në palestrën “Minatori” në Mitrovicë. Mbi 3000 tifozë ishin të pranishëm në këtë ballafaqim.
Me këtë fitore, Trepça tani ka epërsi 2-0 në serinë finale të play-offit, ndërsa ndeshjet tash bartën në Prizren, respektivisht në palestrën “Sezai Surroi”.
Ndeshja e parë e finales ishte mbyllur me rezultatin 94:79, ndërsa dueli i tretë luhet të dielën nga ora 19:30.
Trepça e fitoi çerekun e parë 23:20. Me nisjen e periudhës së dytë, Bashkimi u kthye në lojë dhe kaloi edhe në epërsi 27:23.
Tre minuta para përfundimit të pjesës së parë, rezultati ishte 39:38. Prej atij momenti nisi shkëputja e Trepçës, e cila shkoi në pushim me 13 pikë epërsi, 53:40.
Bashkimi, i udhëhequr nga trajneri malazez Igor Jovoviq, e ngushtoi sërish diferencën në tri pikë, 57:54, në periudhën e tretë.
Por deri në fund të kësaj periudhe, ekipi i trajnerit Adis Beqiragiq aplikoi lojë të fortë në mbrojtje dhe sulm efikas, duke hyrë në çerekun e fundit me rezultatin 70:62.
E niveluar ishte edhe periudha e fundit. Një minutë para përfundimit të ndeshjes, rezultati ishte 88:83.
Por deri në fund, Bashkimi nuk shënoi më asnjë pikë, duke dështuar në tentimet që pati, ndërsa Kenneth Hasbrouck dhe Akili Vining realizuan pikët që vulosën fitoren e Trepçës.
Vining i kishte statistikat më të mira te Trepça me 26 pikë, tri kërcime dhe një asistim, ndërsa Hasbrouck shënoi 18 pikë, katër kërcime dhe tri asistime.
Te Bashkimi u dallua sërish Shannon Shorter me 20 pikë, dy kërcime dhe një asistim, por në fazën përfundimtare të ndeshjes pësoi lëndim dhe u largua nga parketi. Jalen Riley shënoi 22 pikë, por pati shumë gjuajtje të pasakta.
Për të mbetur në garë për titullin e dytë në histori, Bashkimi duhet t’i fitojë dy ndeshjet e radhës në shtëpi. Titullin e vetëm, Bashkimi e fitoi në vitin 2018.
Ndërkohë, Trepça është shtatë herë kampione e Kosovës dhe ka qenë dominuese në vitet e fundit në basketbollin kosovar. /Telegrafi/






