Kancelari gjerman, Friedrich Merz u përball me një pritje të ashpër në një kongres sindikatash në Berlin, ku delegatët e ndërprisnin dhe e fishkëllenin ndërsa ai mbrojti reformat e tij ekonomike.
Ai tha se Gjermania nuk mund ta ruajë më mirëqenien pa reforma të thella strukturore, shkruan politico.
Lideri gjerman theksoi se vendi ka dështuar të modernizojë ekonominë dhe sistemin social, duke kërkuar “rimëkëmbje dhe disiplinë fiskale”. Megjithatë, diskutimi për masat e kursimit dhe reformën e pensioneve shkaktoi reagime negative nga publiku.
Ai e quajti reformën e pensioneve “çështjen më të vështirë”, duke shtuar se ajo bazohet në “demografi dhe matematikë”, por kjo deklaratë u prit me fishkëllima dhe pakënaqësi në sallë.
Qeveria e tij ndodhet nën presion të brendshëm, ndërsa koalicioni vazhdon debatet për uljen e shpenzimeve publike, përfshirë edhe paketat e kursimit në sektorin e shëndetësisë.
Popullariteti i Merzit është në rënie, ndërsa sondazhet tregojnë pakënaqësi të lartë ndaj qeverisë dhe rritje të mbështetjes për të djathtën ekstreme AfD, e cila po përfiton nga kriza ekonomike dhe çmimet e larta të energjisë.
Pavarësisht tensioneve, Merz u bëri thirrje sindikatave për bashkëpunim, duke theksuar nevojën për zgjidhje të përbashkëta për të përmirësuar gjendjen ekonomike të vendit. /Telegrafi/






