Zbulohet kontrata që Viniucius po ia kërkon Real Madridit – ai dëshiron të bëhet si Mbappe

Sport

E ardhmja e Vinicius Junior te Real Madridi vazhdon të jetë një nga temat më të diskutuara në “Santiago Bernabeu”, teksa negociatat për rinovimin e kontratës së brazilianit ende nuk kanë marrë fund. Sipas raportimeve nga AS, palët pritet të rikthehen në bisedime nga pika ku mbetën pas Kupës së Botës për Klube në vitin […]

Madhësia e shkronjave

E ardhmja e Vinicius Junior te Real Madridi vazhdon të jetë një nga temat më të diskutuara në “Santiago Bernabeu”, teksa negociatat për rinovimin e kontratës së brazilianit ende nuk kanë marrë fund.

Sipas raportimeve nga AS, palët pritet të rikthehen në bisedime nga pika ku mbetën pas Kupës së Botës për Klube në vitin 2025, kur u zhvillua takimi i fundit mes përfaqësuesve të lojtarit dhe drejtuesve të klubit.

Në atë kohë, marrëveshja dukej shumë afër finalizimit, por negociatat u bllokuan në fazën e fundit. Vinicius kishte ulur kërkesat e tij fillestare për pagën, ndërsa Real Madridi kishte përmirësuar ofertën e tij, por asnjëra palë nuk bëri hapin përfundimtar për të arritur marrëveshjen.

Në vitin 2022, Vinicius nënshkroi një kontratë pesëvjeçare me Real Madridin, e vlefshme deri në vitin 2027. Marrëveshja i garanton atij rreth 75 milionë euro neto gjatë gjithë periudhës, që përkthehet në një mesatare prej 15 milionë eurosh neto në sezon.

Kontrata është progresive, pasi braziliani nisi me një pagë rreth 10 milionë euro në sezon, ndërsa në vitet e fundit të marrëveshjes arrin afërsisht 18 milionë euro.

Gjithashtu, ekziston një bonus prej rreth 2 milionë eurosh në sezon në rast se Vinicius fiton çmimin e Lojtarit më të Mirë të FIFA-s, ndërsa një shpërblim i ngjashëm do të aktivizohej edhe në rast të fitimit të “Topit të Artë”.

Për rinovimin e radhës, sulmuesi brazilian kërkon një pagë prej rreth 20 milionë eurosh neto në sezon, plus përfitime më të mëdha nga të drejtat e imazhit.

Kjo kërkesë përfaqëson një rritje prej rreth 5 milionë eurosh në sezon krahasuar me marrëveshjen aktuale, por negociatat janë bërë më komplekse për shkak të kërkesave shtesë financiare.

Një nga pikat kryesore të diskutimit është një bonus i mundshëm rinovimi, i ngjashëm me atë që mori Kylian Mbappé kur iu bashkua Real Madridit, si dhe kontrolli mbi të drejtat komerciale të lojtarit.

Të drejtat e imazhit, një pikë kyçe në negociata

Vinicius është një nga futbollistët më të kërkuar nga kompanitë globale dhe ka një portofol të madh sponsorësh.

Braziliani aktualisht bashkëpunon me shumë marka ndërkombëtare dhe kërkon një model të ngjashëm me atë të Mbappés, i cili kontrollon një pjesë shumë të madhe të të ardhurave nga imazhi i tij.

Pikërisht kjo pikë mund të jetë një nga pengesat kryesore në arritjen e marrëveshjes përfundimtare mes lojtarit dhe klubit.

Vinicius dëshiron të qëndrojë në Madrid

Pavarësisht vështirësive në negociata, sinjalet nga kampi i Viniciusit tregojnë se dëshira e tij është të vazhdojë karrierën në Real Madrid.

Kontrata e tij aktuale skadon në vitin 2027 dhe nga janari i ardhshëm ai do të ketë mundësi të negociojë me klube të tjera sipas rregullave të FIFA-s.

Megjithatë, në Madrid besojnë se ekziston mundësia që një marrëveshje për të ardhmen e tij të jetë arritur paraprakisht, sidomos pas transferimit të lojtarit Diomande, i cili përfaqësohet nga i njëjti agjent si Vinicius, Frederico Pena.

Vendimi përfundimtar pritet të marrë formë pas takimeve të ardhshme mes lojtarit, përfaqësuesve të tij dhe drejtuesve të Real Madridit. /Telegrafi/