Presidenti amerikan Donald Trump do të telefonojë kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe do ta shtyjë të mos hakmerret për sulmin me raketa të Iranit, thotë Trump për Axios.
“Do ta telefonoj Bibin tani dhe do t’i them të mos hakmerret. Secili prej tyre pati qejfin e vet. Izraeli pati sulmin e tij dhe Irani pati sulmin e tij. Nuk kemi nevojë për një tjetër”, tha Trump.
Armëpushimi në Lindjen e Mesme po lëkundet pasi Izraeli goditi Bejrutin dhe Irani lëshoi valë të shumta raketash në përgjigje, transmeton Telegrafi.
Trump po nxiton për të ndaluar përshkallëzimet që po i vrasin shpresat për një marrëveshje të qëndrueshme me Iranin. Përgjigja e Netanyahut do të masë se sa ndikim ka ende presidenti amerikan mbi Izraelin.
Irani lëshoi raketa në Izrael të dielën në hakmarrje për sulmin izraelit në periferitë jugore të Bejrutit. Është sulmi i parë i drejtpërdrejtë i Iranit që nga armëpushimi i 8 prillit. Izraeli thotë se ka kapur raketat.
Kërkesa e Trump që Izraeli të mos hakmerret është shumë e pazakontë. Pa mbështetjen e SHBA-së, çdo sulm izraelit në Iran do të jetë shumë më i vështirë dhe i rrezikshëm.
Një zyrtar amerikan i tha Axios: “Ne nuk jemi pjesë e kësaj”, por është e paqartë nëse Trump do t’i urdhërojë ushtrisë amerikane të mos e ndihmojë Izraelin në një sulm në Iran, veçanërisht kur bëhet fjalë për furnizimin me karburant ajror dhe lloje të tjera të koordinimit ushtarak. /Telegrafi/






