Një burrë humbi jetën si pasojë e motit të keq që ka goditur bregdetin mesdhetar të Spanjës, duke shkaktuar përmbytje dhe probleme serioze në qarkullim.
Trupi i pajetë i tij u gjet në Olivella, rreth 40 kilometra në perëndim të Barcelonës.
Sipas shërbimeve të emergjencës, burri po drejtonte një makinë, e cila u mor përpara nga ujërat e rrëmbyeshme.
Zjarrfikësit e gjetën trupin rreth 500 metra larg vendit ku ishte gjetur automjeti, ndërsa policia e Barcelonës konfirmoi se bëhej fjalë për drejtuesin e mjetit.
Shërbimi meteorologjik spanjoll AEMET kishte vendosur për një periudhë zonat bregdetare të Barcelonës nën alarm të kuq, duke paralajmëruar për reshje të dendura dhe rrezik të lartë për përmbytje të menjëhershme.
Autoritetet u bënë thirrje banorëve në Katalonjë dhe Valencia që të kufizonin lëvizjet vetëm për rastet absolutisht të nevojshme dhe të ndiqnin udhëzimet e shërbimeve të Mbrojtjes Civile.
Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, i përshkroi situatat si “veçanërisht të ndërlikuara”, duke u kërkuar qytetarëve të tregoheshin jashtëzakonisht të kujdesshëm.
Moti i keq shkaktoi probleme të mëdha edhe në Barcelonë. Disa stacione metroje u mbyllën, linjat e autobusëve ndryshuan itineraret për shkak të rrugëve të përmbytura, ndërsa probleme u raportuan edhe në rrjetin hekurudhor periferik.
Vonesa dhe anulime u shënuan gjithashtu në aeroportin e Barcelonës, i dyti më i madh në Spanjë për nga numri i pasagjerëve.
Moti i keq shkaktoi probleme të konsiderueshme edhe në Valencia, një rajon që ende i ka të freskëta kujtimet e përmbytjeve katastrofike të vitit 2024, ku humbën jetën më shumë se 230 persona.





