Gurë, përplasje me kordonin policor dhe bllokim trafiku, policia raporton për dy të arrestuar

Nacionale

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka ndërmarrë masa të shtuara të sigurisë në Prishtinë dhe në qytete të tjera të vendit, pas tubimeve të qytetarëve lidhur me shpalljen e aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Sipas Policisë, përgatitjet për mbarëvajtjen e tubimeve kanë nisur që nga mbrëmja e 15 shtatorit, […]

Madhësia e shkronjave

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka ndërmarrë masa të shtuara të sigurisë në Prishtinë dhe në qytete të tjera të vendit, pas tubimeve të qytetarëve lidhur me shpalljen e aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Sipas Policisë, përgatitjet për mbarëvajtjen e tubimeve kanë nisur që nga mbrëmja e 15 shtatorit, ndërsa mijëra qytetarë janë mbledhur në sheshet kryesore të kryeqytetit dhe qyteteve të tjera.

Policia ka bërë të ditur se masat kanë pasur për qëllim ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, mbrojtjen e jetës dhe pronës, si dhe menaxhimin e trafikut rrugor.

Pas shpalljes së aktgjykimit, qytetarët në rajone të ndryshme kanë shprehur pakënaqësitë e tyre në forma të ndryshme. Një pjesë e protestuesve nga sheshet e Prishtinës janë nisur drejt ish-objektit të EULEX-it dhe më pas drejt bazës së këtij misioni.

Sipas njoftimit policor, protestuesit kanë tentuar me forcë të depërtojnë përtej rrethojave të EULEX-it. Gjatë protestës, disa persona kanë hedhur gjësende të ndryshme dhe mjete të forta në drejtim të rrethojave dhe objektit, ndërsa kanë tentuar edhe të kalojnë kordonin policor.

Për shkak të numrit të madh të pjesëmarrësve, të cilët kishin ardhur edhe nga zona të tjera të Kosovës, përkohësisht është bllokuar qarkullimi në drejtim të rrugës Fushë Kosovë–Prishtinë.

Më pas, një pjesë e protestuesve kanë vazhduar drejt ndërtesës së Qeverisë së Kosovës. Policia ka thënë se protesta fillimisht ka qenë e qetë, por kohë pas kohe janë shënuar tentativa për të kaluar rrethojat dhe kordonin policor, si dhe janë hedhur mjete të forta në drejtim të objektit.

Në mesin e protestuesve, sipas Policisë, ka pasur edhe persona të maskuar që kanë hedhur gurë. Njoftimi thekson se edhe disa pjesëmarrës të tjerë kanë reaguar ndaj këtyre veprimeve.

“Policia e Kosovës, me qëllim të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike, ofrimit të sigurisë për vetë pjesëmarrësit si dhe mbrojtjes së jetës e pronës, në vazhdimësi ka kërkuar nga pjesëmarrësit që të protestojnë në mënyrë të qetë dhe të mos tentojnë dëmtimin apo futjen brenda rrethojave të objekteve”, thuhet në njoftim.

Si pasojë e situatës së krijuar, zyrtarët policorë kanë ndërmarrë masa të shtuara për parandalimin e incidenteve, moslejimin e hyrjes së protestuesve në objekte dhe vënien nën kontroll të situatës.

Policia ka bërë të ditur se dy persona janë shoqëruar në stacion policor. Me vendim të prokurorit, njërit prej tyre i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa personi tjetër është liruar në procedurë të rregullt.

Gjithashtu, për shkak të protestave, Policia ka ndërprerë përkohësisht qarkullimin në rrugën Prishtinë–Fushë Kosovë dhe në rrugën “Bill Klinton”, duke e orientuar trafikun në rrugë alternative.

Në fund, Policia e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve dhe pjesëmarrësve që ende ndodhen në tubim të shprehin pakënaqësitë në mënyrë të qetë, të respektojnë udhëzimet e zyrtarëve policorë dhe të kontribuojnë që aktivitetet të zhvillohen në mënyrë të sigurt./Telegrafi/