Një incident i pazakontë është raportuar në jug të Gjermania, ku policia u thirr për të zgjidhur një konflikt mes fqinjëve që lidhej me përgatitjen e një “shnitzeli”.
Ngjarja ndodhi në qytetin Geiselhöring, ku një burrë 61-vjeçar u ankua për zhurmën e fortë gjatë rrahjes së mishit.

Sipas policisë, ai shkoi në banesën e fqinjit të tij, e ofendoi dhe më pas e goditi me shuplakë në fytyrë.
Incidenti ndodhi të shtunën në mbrëmje dhe kërkoi ndërhyrjen e menjëhershme të autoriteteve.
Oficerët që mbërritën në vendngjarje dokumentuan sulmin dhe ndanë dy fqinjët për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës.
Rasti po trajtohet si një konflikt fizik, ndërsa nuk raportohet për lëndime serioze. /Telegrafi/





