Meta Platforms po përgatitet për një valë të re pushimesh masive nga puna, që pritet të nisë më 20 maj, sipas burimeve të cituara nga Reuters.
Në fazën e parë, kompania që zotëron Facebook dhe Instagram planifikon të largojë rreth 10% të stafit global, afërsisht 8,000 punonjës. Burimet thonë se mund të ketë edhe shkurtime të tjera në gjysmën e dytë të vitit, ndërsa planet mund të ndryshojnë në varësi të zhvillimeve në inteligjencën artificiale.

Drejtori ekzekutiv Mark Zuckerberg po investon shuma të mëdha në AI, duke synuar transformimin e kompanisë drejt një strukture më efikase me më pak nivele menaxhimi.
Një trend i ngjashëm është parë edhe te Amazon dhe Block Inc., të cilat kanë bërë shkurtime të mëdha duke i lidhur ato me automatizimin përmes AI.
Sipas të dhënave të Layoffs.fyi, mbi 73 mijë punonjës në sektorin e teknologjisë kanë humbur vendin e punës këtë vit.
Këto lëvizje vijnë pas një periudhe të ngjashme në 2022–2023, kur Meta eliminoi rreth 21,000 vende pune gjatë të ashtuquajturit “viti i efikasitetit”.
Aktualisht, Meta ndodhet në një gjendje më të qëndrueshme financiare, me mbi 200 miliardë dollarë të ardhura dhe rreth 60 miliardë dollarë fitim vitin e kaluar, por po ristrukturon ekipet dhe po zhvendos fokusin drejt zhvillimit të inteligjencës artificiale dhe automatizimit të proceseve. /Telegrafi/




