Paris Saint-Germain ka shfaqur interes serioz për sulmuesin e ri francez Eli Junior Kroupi, i cili aktualisht është pjesë e Bournemouthit.
Sipas raportimeve të L’Equipe, kampioni francez është pozicionuar në garën për transferimin e 19-vjeçarit dhe po monitoron nga afër situatën e tij.
Kroupi, i cili u formua te Lorient dhe ka kontratë me Bournemouth deri në vitin 2030, konsiderohet si një nga talentet më premtues të futbollit francez. Paraqitjet e tij kanë tërhequr vëmendjen e disa klubeve të mëdha evropiane, ndërsa PSG duket se është ndër skuadrat më të interesuara për shërbimet e tij.
Megjithatë, drejtori sportiv i Bournemouthit, Tiago Pinto, nuk është i gatshëm të heqë dorë lehtësisht nga sulmuesi i ri. Klubi anglez e vlerëson lart potencialin e Kroupit dhe është i vetëdijshëm për interesimin në rritje që ai po ngjall në tregun evropian.
Sulmuesi i kombëtares franceze U21 cilësohet si një profil i rrallë për shkak të aftësisë së tij për të luajtur në disa pozita të repartit ofensiv. Pikërisht kjo shkathtësi ka bindur PSG-në se ai mund të përshtatet me projektin sportiv të trajnerit Luis Enrique.
Sipas raportit, vetë lojtari nuk e përjashton mundësinë e një transferimi në të ardhmen e afërt dhe është i hapur për të shqyrtuar oferta nga klube të mëdha evropiane.
Pavarësisht interesimit konkret të PSG-së, deri më tani nuk ka negociata të avancuara apo marrëveshje mes palëve. Bournemouth pritet të kundërshtojë çdo përpjekje për largimin e njërit prej lojtarëve më premtues të skuadrës. /Telegrafi/






