Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka arritur një sukses juridik në Gjermani kundër revistës së njohur “Der Spiegel”.
Një gjykatë në Hamburg ka lëshuar një urdhër të përkohshëm, i cili i ndalon “Der Spiegel” të përhapë pretendime që e lidhin kreun e shtetit serb me një “gjueti njerëzish”, të kryer gjoja nga turistë të pasur perëndimorë kundër civilëve në Sarajevë gjatë luftës në Bosnjë (1992-1995).
Sipas dokumenteve zyrtare që i ka siguruar gazeta “Frankfurter Allgemeine Zeitung” (FAZ), gjykata ka caktuar një gjobë deri në 250’000 euro nëse “Der Spiegel” shkel këtë vendim.
Shkak u bë një artikull i botuar nga revista në mars të këtij viti me titullin: “Europianët e pasur që udhëtonin për gjueti njerëzish në Sarajevë”.
Gjykata e Hamburgut pranoi se ekziston një “interes i lartë publik” për shkak të pozicionit të Vuçiqit si kryetar shteti, por e cilësoi mënyrën e raportimit si “të papranueshme” dhe “të njëanshme”.
Gjykata ia ndaloi shprehimisht revistës të përhapte thashethemet se Vuçiq, në moshë të re, kishte shërbyer si vullnetar lufte në një njësi paramilitare serbe në varrezat hebraike të Sarajevës dhe se aty “kishte rënë në kontakt me gjahtarët e huaj të njerëzve”.
Gjithashtu, u ndalua citimi i deklaratave të ngjashme të politikanit radikal serb Vojislav Sheshel, ish-mentori politik i Vuçiqit në vitet ‘90. Trupi gjykues e cilësoi si të papërshtatshme edhe përfshirjen e deklaratës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili kërkonte një gjykatë ndërkombëtare duke pretenduar se “ka gjithnjë e më shumë fakte për një ‘Sarajevo Safari’ ku dyshohet se ka marrë pjesë edhe presidenti serb”.
Gjykata bllokoi edhe përdorimin e dokumenteve të paverifikuara të paraqitura nga një gazetar kroat në Zagreb, si dhe pyetjen retorike të revistës: “Vuçiq, presidenti i një vendi kandidat për në BE, një ish-ndihmës në mizoritë e Sarajevës?”. Sipas gjykatës, ky lloj formulimi shkel rëndë të drejtat e personalitetit dhe parimin e supozimit të pafajësisë, duke krijuar bindjen te publiku se fajësia është e provuar pa pasur një vendim gjykate.
Sipas vendimit, “Der Spiegel” nuk kreu kërkime mjaftueshëm të kujdesshme përpara se të ngrinte këto akuza të rënda dhe, mbi të gjitha, dështoi të merrte një qëndrim zyrtar nga vetë Vuçiq përpara publikimit. Revista u mbrojt duke thënë se thjesht raportoi mbi akuza që qarkullonin publikisht, por gjykata e hodhi poshtë këtë argument, duke e ngarkuar revistën edhe me mbulimin e shpenzimeve të procedurës në lartësi prej 50’000 euro. “Der Spiegel” njoftoi se do të respektojë vendimin e përkohshëm, por insistoi se tema mbetet me interes të lartë dhe i qëndron hulumtimeve të kryera. Vendimi është i shkallës së parë.
Gazeta gjermane FAZ përmend se bazë e akuzave është libri “I cecchini del weekend” (Snajperistët e fundjavës) të autorit italian Ezio Gavazzeni. Libri pretendon se burra të pasur perëndimorë paguanin para për të vrarë civilë nga malet e Sarajevës dhe këtë e bënin për argëtim. Mirëpo, vetë autori në libër e pranon se nuk ka qenë kurrë në Sarajevë për të hulumtuar për këtë libër. Shkrimi i tij bazohet në supozime pa burime të verifikueshme.
“Frankfurter Allgemeine Zeitung” përfundon duke vënë në dukje një paradoks: ka shumë gjëra të vërtetuara dhe të tmerrshme për të shkuarën radikale të Vuçiqit si videoja e vitit 1995 ku ai kërcënonte se “për çdo serb të vrarë, do të vrasim 100 myslimanë”. Por pjesëmarrja e tij në këtë “gjueti njerëzish” tani për tani nuk ka asnjë bazë solide faktike, thekson gazeta.
Vuçiq arriti të fitonte një betejë juridike në Hamburg të Gjermanisë. Mirëpo, një sukses të tillë nuk e njohin dot kundërshtarët e tij politikë në Serbi, shkruan FAZ. Opozita serbe linçohet sistematikisht prej vitesh në mediat pro-qeveritare të Beogradit si gazeta “Informer” apo televizioni “Happy TV”). Kur opozitarët serbë tentojnë të kërkojnë drejtësi në gjykatat serbe, përballen me një odise pa asnjë shpresë. Sepse, siç përfundon shkrimi, Beogradi nuk është Hamburg.






