Cadman për deklaratat e Vuçiqit: Nëse ka pasur informacion për aktgjykimin, duhet të ketë hetim

Nacionale

Ish-avokati i Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, Toby Cadman, ka shprehur shqetësim lidhur me deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë. Cadman për RTVDukagjini tha se Vuçiq ka pretenduar se ka marrë informacione paraprake për rezultatin e procesit dhe se, nëse këto pretendime janë të vërteta, çështja […]

Madhësia e shkronjave

Ish-avokati i Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, Toby Cadman, ka shprehur shqetësim lidhur me deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.

Cadman për RTVDukagjini tha se Vuçiq ka pretenduar se ka marrë informacione paraprake për rezultatin e procesit dhe se, nëse këto pretendime janë të vërteta, çështja duhet të hetohet.

“Komenti i parë që ai bëri ishte se kishte marrë informacione nga inteligjenca e gjykatës se cili do të ishte rezultati. Nëse kjo është e vërtetë, do të ishte thellësisht shqetësuese”, tha Cadman.

Ai iu referua edhe një pretendimi tjetër të Vuçiqit, sipas të cilit presidenti serb ishte informuar nga diplomatë të huaj pas takimeve në Paris se cili do të ishte rezultati i procesit.

“Do të ishte e paprecedentë që diçka e tillë të kishte ndodhur. Dhe nëse ka ndodhur, atëherë duhet të ketë një hetim të plotë për këtë”, deklaroi ai.

Cadman theksoi se çdo komunikim i shteteve të huaja me gjykatën që mund të ndikojë në pavarësinë dhe paanshmërinë e saj do të ishte problematik.

“Çdo diskutim me shtetet e huaja do të ndikonte drejtpërdrejt në pavarësinë dhe paanshmërinë e gjykatës. Dhe nëse janë zhvilluar diskutime me shtete të huaja, atëherë kjo nuk lejohet në asnjë rrethanë”, tha ai.

Ai përmendi edhe rastin e Ramush Haradinajt në Tribunalin e Hagës, duke thënë se atëherë ishte kundërshtuar ndikimi i pretenduar i Serbisë mbi hetimet.

Sipas Cadman, çështje të tilla lidhen drejtpërdrejt me drejtësinë dhe legjitimitetin e procedurave.

“Nëse trupi gjykues nuk i adreson këto çështje, nëse nuk e adreson drejtësinë dhe transparencën e procedurave, atëherë, natyrisht, kjo është një çështje që ekipet e mbrojtjes do të duhet ta ngrenë në apel, në rast se të akuzuarit dënohen”, tha Cadman./Telegrafi.