Një piceri nga Londra është shpallur më e mira në botë, duke lënë pas kampionen e dy viteve të fundit dhe dhjetëra prej emrave më të njohur të gastronomisë ndërkombëtare.
“Napoli on the Road”, e themeluar nga shefi italian Michele Pascarella, ka zënë vendin e parë në edicionin e vitit 2026 të 50 Top Pizza World Awards, një prej renditjeve më prestigjioze ndërkombëtare për piceritë.
Fituesi u shpall në Napoli të Italisë, qyteti që konsiderohet vendlindja e picës. Për Pascarella-n, ky është kulmi i një rrugëtimi që nisi në vitin 2016, kur ai filloi të shiste pica në rrugët dhe tregjet e fermerëve të Londrës nga një Piaggio Ape me tri rrota, të pajisur me furrë me dru.
Dhjetë vjet më vonë, “Napoli on the Road” është shndërruar në një biznes me restorante në Chiswick, Richmond dhe Soho. Lokali në Soho ofron edhe një menu degustimi me pica, të frymëzuara nga fëmijëria e Pascarella-s në Caserta, në jug të Italisë.
“Jam në shok. Ndoshta më duhet të pi disa gota dhe të ulem për ta përpunuar. Nuk mund ta shpjegoj se sa i madh është ky moment. Është si Oscars, por për picën”, tha Pascarella gjatë ceremonisë në Napoli.
Pas dy viteve radhazi në krye të listës, Una Pizza Napoletana e Anthony Mangieri-t, në New York, këtë herë është renditur e dyta, transmeton Telegrafi.
Vendin e tretë e ka marrë Confine nga Milano, e drejtuar nga Francesco Capece dhe Mario Ventura.
Renditja e këtij viti është bazuar në vlerësimet e afro 1,000 inspektorëve anonimë.
Secila piceri është vizituar dy herë dhe është vlerësuar për cilësinë e picës, përbërësit, shërbimin dhe mikpritjen. /Telegrafi/






