Kurti përkujton Xhavit Hazirin në 28-vjetorin e zhdukjes

Nacionale

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar aktivistin e shquar Xhavit Haziri, në 28-vjetorin e zhdukjes së tij nga autoritetet serbe. Kurti ka bërë të ditur se ka kryer homazhe pranë shtatores së Hazirit në Obiliq, duke nderuar jetën dhe veprën e tij. “28 vite më parë, aktivisti i shquar Xhavit Haziri, u rrëmbye nga […]

Madhësia e shkronjave

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar aktivistin e shquar Xhavit Haziri, në 28-vjetorin e zhdukjes së tij nga autoritetet serbe.

Kurti ka bërë të ditur se ka kryer homazhe pranë shtatores së Hazirit në Obiliq, duke nderuar jetën dhe veprën e tij.

“28 vite më parë, aktivisti i shquar Xhavit Haziri, u rrëmbye nga autoritetet e sigurisë së Serbisë dhe u zhduk dhunshëm, duke ngelur i pagjetur që nga atëherë”, ka shkruar Kurti.

Sipas tij, Haziri u rrëmbye më 17 shtator të vitit 1998, teksa po shkonte nga shtëpia e tij drejt zyrave të Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut në Prishtinë, ku punonte.

Kurti ka rrëfyer se Haziri u rrëmbye pranë Xhamisë së Llapit nga dy zyrtarë të shërbimit të fshehtë të Serbisë, të cilët e futën në një veturë “Golf” të bardhë. Dëshmitarët e rastit kishin deklaruar se vetura kishte lëvizur në drejtim të rrugës ku gjendej Medreseja e Prishtinës.

Familjarët e Hazirit e raportuan zhdukjen e tij në media më 21 shtator 1998, ndërsa ai ka mbetur i pagjetur që nga ajo kohë.

Xhavit Haziri, i lindur më 1960 dhe me origjinë nga Druari i Vushtrrisë, ishte shkolluar në Obiliq dhe kishte përfunduar studimet për drejtësi në Universitetin e Prishtinës.

Pas demonstratave të vitit 1981, ai ishte angazhuar në përafrimin dhe bashkimin e organizatave të fshehta politike në Kosovë. Për veprimtarinë e tij, Haziri kishte vuajtur dënim me burg nga viti 1986 deri më 1990.

Pas lirimit, ai e kishte vazhduar aktivitetin politik dhe patriotik në Lëvizjen Popullore të Kosovës dhe në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Kurti e ka cilësuar Hazirin si hero të Kosovës dhe dëshmor të lirisë së saj.

“Xhavit Haziri do të kujtohet për angazhimin e tij patriotik ndër shokë në historinë e betejave të popullit të Kosovës për liri. Lavdi!”, ka përfunduar Kurti./Telegrafi/